Hakerat kinezë futen në të dhënat e punonjësve të qeverisë amerikane
Washington, 5 qershor - Agjencitë qeveritare amerikane janë goditur nga një sulm i madh kibernetik, ku hakerat kanë arritur të futen në sistemin e të dhënave të mbi 4 milionë punonjësve aktualë federal, por edhe të larguarve nga puna.
Byroja Federale e Hetimeve tha se kishte nisur menjëherë një hetim për gjetjen e përgjegjësve të këtij sulmi masiv. Ndërkohë, hetuesit besojnë se përgjegjëse kryesore për këtë shkelje masive të sistemit të të dhënave federale është qeveria kineze, ka thënë një zyrtar i zbatimit të ligjit për CNN.
Rasti është konfirmua të enjten nga Zyra e Menaxhimit të Personelit, e cila merret me hartimin e të dhënave të punonjësve të qeverisë federale.
Një zyrtar amerikan tha se hakerat kanë arritur të futën në sistemin kompjuterik të Zyrës së Menaxhimit të Personelit, në të dhënat e ruajtura në departamentin e brendshëm, që është një qendër e përbashkët e shërbimit për agjencitë federale. Ai nuk komentoi më tej nëse janë prekur edhe të dhënat e agjencive të tjera.
Në informacionin e ruajtur në bazat e të dhënave përfshihen detyra të punës për punonjësit, komente në lidhje me performancën dhe trajnimi i tyre, thanë zyrtarët.
Në prillin e këtij viti, duke përdorur një sistem të ri të sigurisë kibernetike të njohur si Einstein, Zyra e Menaxhimit të Personelit zbuloi një tjetër ndërhyrje kibernetike, për të cilën FBI-ja tha se është duke e hetuar.
Ken Ammon, shefi i \"Xceedium\", një kompanie e sigurisë kibernetike, paralajmëroi se të dhënat e hakuara mund të përdoren për shantazh ndaj punonjësve federalë, për të arritur në informacione të rëndësishme.