Hackerat sulmojnë FMN-në
Washington, 12 qershor - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është bërë cak i një sulmi hacker-ash.
Një zëdhënës i FMN-së konfirmoi njoftime përkatëse në medie dhe deklaroi më tej, se fondi ka nisur hetime për atë se si arritën të ndodhnin sulmet.
\"Megjithatë, puna e organizatës nuk është penguar prej sulmit të hackerave\", tha ai.
Gazeta \"New York Times\" kishte raportuar më parë, se sistemi kompjuterik i FMN-së, në të cilin janë ruajtur të dhëna shumë të fshehta mbi gjendjen financiare të shumë vendeve, është sulmuar në mënyrë të përsëritur muajt e kaluar nga hackerat.
Sipas saj bëhej fjalë për sulme kibernetike të përmasave të mëdha dhe tejet komplekse.
Sipas vlerësimit të ekspertëve, me njohjen e të dhënave të hollësishme të FMN-së do të ishte e mundur të influencoheshin lëvizje në tregjet financiare.
Në organizatë janë të përfaqësuara 187 shtete anëtare.