Google sfidon Kinën
Pekin, 23 mars - Megjithë paralajmërimet e qarta të Pekinit zyrtar, koncerni amerikan i internetit Google u ofron nga e hëna të gjithë përdoruesve kinez të kësaj faqeje mundësi kërkimesh pa cenzurë.
Google për këtë po zbaton një truk. Kush viziton faqen google.cn kalon automatikisht në versionin e Hongkongut ku mund të kenë qasje edhe në materialet kritike ndaj udhëheqjes së Pekinit.
Qeveria kineze reagoi e zemëruar dhe foli për një veprim të padëgjuar. Google nuk i është përmbajtur premtimeve të bëra me shkrim, citon agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua.
Koncerni amerikan Google duhet të llogarisë me humbjen e tregut fitimprurës kinez. Vendimi i koncernit erdhi pas një zënke disamujore me Pekinin për sulmet e hakerve dhe rregullat e cenzurimit në Kinë.