Google prezanton syzet inteligjente
New York, 27 shkurt - Google publikoi detaje të reja rreth produktit më të ri të saj, aq shumë të përfolur dhe që pritet të hidhet në treg së shpejti nga kompania: Syzet inteligjente.
Kompania zgjodhi një video të postuar në Youtube për të prezantuar krijesën e saj. Në videon e gjatë pak më shumë se 2 minuta shihen syzet inteligjente në veprim, bashkë me ekranin e vogël të tejdukshëm në të djathtë të tyre që zbaton urdhërat e të zotit.
Google Glass vihen në përdorim nëpërmjet zërit, mjafton ti thuash Glass Record, që syzet të regjistrojnë një video, Glass Take a Picture që syzet të kapin një foto, apo Glass Share për të shpërndarë në internet foton apo videon e regjistruar.
Është e paqartë për momentin nëse Google Glass do të funksionojnë vetëm në gjuhën angleze apo kompania do të bëjë të mundur dhënien e komandave edhe në gjuhë të tjera.
Prezantimi i Google Glass u bë fillimisht në fund të vitit të kaluar kur të interesuarve iu shitën disa mostra me cmimin prej 1500 dollarë. Aktualisht Google është duke kërkuar persona që mund të zhvillojnë më tej syzet inteligjente, ndërsa nuk bëhet publik cmimi që ato do të dalin në treg.