Google kërkon falje për informacionet personale nga rrjetet wi-fi
SHBA, 26 tetor - Kompania e kërkimeve në Internet Google kërkoi falje për grumbullimin e informacioneve personale nga rrjetet wi-fi, siç njihen në terminologjinë kompjuterike rrjetet valore të shpejtësisë së lartë, ndërsa ndërton faqet me pamjen e rrugëve.
Ky program është projektuar për ti ndihmuar përdoruesit të marrin drejtimet kur i japin makinës.
Në muajin maj Google pranoi se një nga inxhinierët e kompanisë kishte krijuar një program, i cili thithte informacione, mes të tjerash edhe delikate, përfshi paswordet apo fjalëkalimet e e-mailit nga rrjetet e pasiguruara, ndërsa makinat e kompanisë kalonin nëpër lagje të ndryshme në mbarë botën.
Makinat merrnin kryesisht fotografi për shërbimet në Internet të hartave të Googlit, por ato po ashtu kishin me vete pajisje për të marrë informacionin e vendeve ku ishin vendosur rrjetet e Wi-Fi-it.
Incidenti që disa kritikë e kanë etiketuar si Wi-Spy u shkaktua nga pakujdesia e një inxhinieri, si dhe nga mungesa e kontrollit për tu siguruar që procedurat e nevojshme të mbronin privacinë e përdoruesve.
Ruajtja e besimit të publikut është tepër e rëndësishme për kompaninë Google, sepse suksesi i saj dhe pjesë e planeve të biznesit të kompanisë është ndërtimi i databazës për preferencat e përdoruesve të vet.
Google, me bazë në Kaliforni, shpreson të bëhet më tepër pjesë e jetës së njerëzve, duke paraqitur një rrjet social në internet në faqen e vet, në konkurencë me Facebook-un, në fushën përherë më tërheqëse për të lidhur miqtë dhe familjarët në internet.
Kur kompania paraqiti një mundësi për një rrjet social në shërbimin e vet falas të e-mailit në shkurt, shumë përdorues protestuan, sepse kjo cilësi ekspozonte listën e tyre të kontakteve pa marrë leje.
Siguria e informacioneve në Internet po bëhet një sfidë në botën e sotme, në kushtet kur janë shtuar së tepërmi mundësitë e gjetjes së informacioneve përmes kompanive të internetit.