Google kërcënon se do të tërheq motorin e kërkimit në Australi
New York, 22 janar - Google ka kërcënuar se do të tërheq motorin e saj të kërkimit në Australi për shkak të polemikave me ligjin e propozuar për media në vend.
Në seancën dëgjimore të Senatit, drejtoresha menaxhuese e kompanisë Google në Australia dhe Zelandë të Re, Mel Silva, argumentoi se ligji i propozuar për media është i pazbatueshëm në formën e tij aktuale dhe se nëse drafti i kodit kthehet në ligj, ai do të prek jo vetëm kompaninë Google, por edhe publikuesit e vogël, kompanitë dhe miliona australianë që përdorin shërbimet e saj çdo ditë.
"Të lidhur me rrezikun e pamenaxhueshëm financiar dhe operacional nëse ky version i Kodit kthehet ligj, nuk do të na japë zgjidhje tjetër përveç ndalimit të 'Googe Search' në Australi", u tha Silva ligjvënësve.
Ajo u paraqit para Komitetit të Legjislacionit Ekonomik të Senatit, i cili në një seancë dëgjimore publike shqyrton rregulloren e re të propozuar, Kodin e Marrëveshjeve për Mediat e Lajmeve.
Në prill të vitit të kaluar, Australia zbuloi planet për të detyruar gjigandët e teknologjisë të paguajnë mediat për përmbajtjet e tyre.
Të martën, edhe SHBA kërkoi nga Australia të tërhiqet nga ligji i saj i propozuar kundër kompanive Facebook dhe Google.
Megjithatë, sot kryeministri australian, Scott Morrison, refuzoi kërcënimin e kompanisë Google dhe tha se, "Më lejoni të jem i qartë, Australia i cakton rregullat tona për gjërat që ju mund të bëni në Australi. Kjo është caktuar në parlamentin tonë".
Më herët, sekretari australian i Thesarit, Josh Frydenberg, tha se duke miratuar një kod të detyrueshëm, Australia do të jetë vendi i parë në botë që do të mandatojë këta gjigandë të mediave sociale të paguajnë mediat për përmbajtjen e tyre.
Megjithatë, shtatorin e kaluar, Facebook kërcënoi se do të ndalojë përdoruesit të postojnë përmbajtje të lajmeve në Australi nëse drafti i kodit kthehet në ligj.
Sipas raportit të lajmeve dixhitale të vitit 2020, i lëshuar nga Universiteti Canberra, 39 për qind e australianëve përdorin Facebook-un për lajmet e përgjithshme.