25 Dhjetor 2024

Google Doodle është edhe kulturë e novacionit

New York, 3 mars - Nga pikëpamja e marketingut kompania jashtëzakonisht fitimprurëse për kërkirme në internet, Google, dallohet nga të tjerat edhe për shkak të logos së saj Google në një faqe të bardhë në ekran.

Kjo zgjedhje e thjeshtë, është në përputhje me synimin e kompanisë si një mjet kërkimi në internet dhe jo si një medium lajmesh ose faqesh argëtuese.

Faqja kryesore asnjëherë nuk ndryshon, përveç rasteve kur ajo zëvendësohet nga vizatime artistike, të ashtuquajturat  Doodle, kur logoja Google fshihet brenda këtyre gjetjeve stilistikore.

Përdoruesit e programit kërkimor Google herë pas here vënë re një logo të ndryshuar, të posaçme, për të shënuar festa të ndryshme, si Viti i ri kinez, apo përvjetorë më të panjohur, siç ishte për shembull 150 vjetori i hapjes së sistemit të metrosë në Londër.

Vitin e kaluar pas mbledhjes se mbi 50 mijë nënshkrimeve nga të rinj shqiptarë me 28 nëntor Google bëri një logo me flamurin shqiptar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Këto gjetje artistike për logon e firmës Google mund të sjellë më shumë përdorues në faqen e saj. Por Ryan Germic, përgjegjës për to, thotë se vlera e tyre për kompaninë nuk gjendet në një plan tradicional biznesi.

“Ne jemi këtu për të befasuar, për të krijuar kënaqësi në mesin e përdoruesve tanë dhe për t’i dhënë një element njerëzor programit Google”.

Ndryshe nga aspektet tjera të biznesit të Google që vazhdimisht analizon të dhënat dhe përdorimin e tyre, Germic thotë se Doodles vlerësohen në bazë të kriterit tematik.

“Ne ndjekim aktivitetet në rrjetet sociale dhe në shtyp për të parë nëse dizenjot tona i bëjnë njerëzit të qeshin. Pra ne përpiqemi të krijojmë më shumë një lidhje emocionale sesa nxitjen e më shumë klikimeve”.

Jennifer Hom, punonjëse në projektin Doodles, thotë se ekipi i saj krijon çdo vit mbi 300 dizenjo të logos ose Doodles në shumë gjuhë të ndryshme, por i shmang temat politike ose ato të debatueshme.

“Ne thjesht mendojmë për gjërat novatore, artistike dhe të pazakonta, pra diçka që është e përshtatshme për Google”.

Ajo thotë se idetë për logon Doodle kanë burime të ndryshme dhe përpiqen të pasqyrojnë procese ndërvepruese.
 
Kultura novatore e kompanisë Google, ambienti i qetë, dhe kombinimi i lojërave me punën ndihmon procesin krijues.

Inxhinieri Khris Hom, krijon imazhe vizatimore nga krijimet e artistëve. Ai thotë se fillimisht iu bashkua ekipit si pjesë e një programi për kultivimin e krijimtarisë dhe rritjen e kompanisë.

“Përfshirja ime në fillim ishte pjesë e një projekti që mbulonte 20 për qind të  punës sime në kompani, një fenomen i zakonshëm në Google, ku inxhinierët mund të shfrytëzojnë një ditë në javë ose 20 për qind të kohës së tyre të punës në çfarë do që u pëlqen atyre. Kështu unë fillova të merrem me zhvillimin e imazheve vizatimorë, dhe dikush nga ekipi Doodle e pa punën time dhe kërkoi që ato të hidheshin në faqen tonë të internetit. Që atëherë puna ime me imazhet vizatimorë ka qenë një kënaqësi e veçantë”.

Këta punonjës të projektit Doodles të kompanisë Google thonë se humori në punë pasqyron kulturën e novacionit dhe idenë se Google duhet të jetë një vend i bukur për të punuar ose për ta vizituar në internet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)