22 Dhjetor 2024

Goditet grupi ndërkombëtar i krimit kibernetik

Washington, 3 gusht - Autoritetet amerikane njoftojnë se janë kapur vjedhësit kibernetikë, të cilët përvetësuan miliona numra kartash krediti dhe debiti nga disa prej rrjeteve të mëdha komerciale në SHBA.

Autoritetet ligjzbatuese njoftuan arrestimet dhe aktakuzën ndaj tre drejtuesve të grupit të njohur FIN-7 në Evropën Lindore, i dyshuar për disa sulme kibernetike ndaj më shumë se 120 kompanive amerikane midis viteve 2015 dhe 2017.

Kompanitë e vëna në shënjestër nga grupi ishin kryesisht në industrinë e restoranteve, lojrave të fatit dhe mikpritjes, sipas prokurorëve.

Autoritetet identifikuan vetëm shtatë nga bizneset viktima.

"Hetimi vazhdon, nuk kemi asnjë iluzion se e kemi mposhtur plotësisht këtë grup, por i kemi dhënë një goditje të madhe: këta hakerë mendojnë se mund të fshihen pas tastierave në vende të largëta dhe se mund t'i shpëtojnë krahut të gjatë të ligjit amerikan, por e kanë të pamundur,” tha prokurorja e çështjes, Annette Hayes.

Zyrtarët i identifikuan tre të arrestuarit si shtetasit ukrainas Dmytro Fedorov, 44 vjeç, Fedir Hladyr, 33 vjeç dhe Andrii Kolpakov, 30 vjeç.

Hladyr, administratori i sistemeve të dyshuara të grupit, është në paraburgim në Seattle, pas arrestimit në Gjermani në janar dhe ekstradimit në Shtetet e Bashkuara në fillim të majit.

Dy të tjerët janë në paraburgim në Poloni dhe Spanjë në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara.

"Ka qenë një hetim afatgjatë dhe i sofistikuar ndaj një grupi të krimit të organizuar që i kalonte kufijtë e vendeve dhe që e identifikuam përmes ekspertizës së avancuar kibernetike," thotë Jay Tabb, Agjent i posaçëm i FBI-së.

Krimi kibernetik është një biznes global prej 600 miliard dollarësh, sipas ekspertëve. Hakerët janë bërë gjithnjë e më të sofistikuar vitet e fundit, duke e bërë kapjen e tyre më të vështirë.

Por rritja e bashkëpunimit midis kompanive private, firmave të sigurisë në internet dhe agjencive të zbatimit të ligjit ka çuar në një varg goditjesh të këtij lloji krimi gjatë vitit të shkuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)