Galaxy Note 7 i shkakton humbje rekord Samsungut
Seul, 13 tetor - Skandali i baterive që marrin flakë të Galaxy Note 7 e ka detyruar gjigandin koreanojugor, Samsung Electronics të ulë parashikimet mbi përfitimet operative dhe xhiron.
Gjiganti koreanojugor, Samsung Electronics, ka ulur sot parashikimet mbi përfitimet operative në tremujorin e tretë, me 33,3 për qind si pasojë të dështimit që shkaktoi Galaxy Note 7.
Samsung parashikon një fitim operacional prej 5 200 miliardë uon (4,17 miliardë euro), kundër 7 800 miliardë uon që parashikoheshin më parë. Grupi ka ulur gjithashtu edhe parashikimet për xhiron me katër për qind, në 47 000 miliardë uon.
Nga ana tjetër aksionet e Samsung kanë regjistruar një humbje rekord prej tetë për qind në Bursën e Koresë.
Gjiganti koreanojugor ka vendosur të mos financojë më fiaskon e Note 7 dhe të ndërpresë përfundimisht prodhimin e këtij smartfoni të përfshirë në skandalin e baterive që marrin flakë.