25 Dhjetor 2024

Fuqia punëtore kapitalizon ekonominë digjitale në Kosovë

Prishtinë, 20 nëntor - Ekonomia digjitale, përfitimet dhe implikimet për zhvillimin ekonomik, shoqërinë dhe sektorin privat në Kosovë ishte tema e tryezës së radhës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë 2015.

Nevoja për edukimin dhe trajnimin e të rinjve tanë për të ju përshtatur trendeve globale të zhvillimit të teknologjisë është i domosdoshëm që Kosova të mund të shfrytëzojë në maksimum efektet e ekonomisë së bazuar në internet, ashtu që ndërmarrësit kosovarë të mund të luajnë rolin e krijuesve të produkteve dhe shërbimeve digjitale dhe të mos jenë vetëm përdorues të shërbimeve të krijuara nga kompanitë e tjera.

Gjatë tryezës u tha që pavarësisht normës së lartë të penetrimit të internetit, që është më e lartë se në vendet e tjera të rajonit, statistikat tregojnë se interneti përdoret kryesisht nga përdoruesit e rrjeteve sociale dhe në këtë mënyrë vendi nuk arrin të kapitalizojë këtë shkallë të penetrimit të internetit për zhvillimin e ndërmarrësisë digjitale dhe rrjedhimisht për një zhvillim më të hovshëm ekonomik.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës, Uranik Begu, foli për potencialet e shumta që rinia kosovare ofron në fuqizimin e bazës së ndërmarrësisë digjitale dhe për kontributin që institucioni që ai drejton ka ofruar në mbështetjen e kompanive dhe ndërmarrësve të rinjë në krijimin e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve origjinale, një pjesë e të cilave kanë depërtuar suksesshëm edhe në tregjet botërore.

Mërgim Cahani nga kompania Gjirafa.com dhe njëherit anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane foli për përvojën e tij në krijimin e një platforme kërkimore shqiptare në internet dhe për përfitimet që kjo u sjell përdoruesve kundrejt përdorimit të platformave të tjera kërkimore të cilat nuk përfshijnë kontekstet dhe karakteristikat vendore.

Duke folur për trendet në rritje të ekonomisë digjitale anembanë botës, ai poashtu foli për rëndësinë e trajnimit të kapitalit njerëzor duke pasur parasysh që problemi kryesor i zhvillimeve të ardhshme teknologjike pritet të jetë pikërisht boshllëku i shkathtësive.

Në anën tjetër, Gëzim Begolli nga kompania Httpool foli për vetëdijen e madhe që kompanitë e sektorit privat kanë për benefitet që u sjell lidhshmëria digjitale në operacionet në përgjithësi dhe marketingu digjital në veçanti në lehtësimin e operacioneve afariste dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre kundrejt metodave tradicionale të marketingut.

Panelistët e tryezës shprehën shqetësimin e tyre lidhur me cilësinë e edukimit që ofrohet nga institucionet arsimore të Kosovës si dhe me orientimin e të rinjve në drejtime profesionale për të cilat vendet e punës janë në zhdukje e sipër si pasojë e zhvillimeve të shpejta teknologjike, duke pasur parasysh se deri në vitin 2020 pritet që zhvillimet në fushën e informacionit pritet të eliminojnë 80% të proceseve dhe produkteve momentale afariste.

Në anën tjetër, Kosova duhet të përgatitet që tani që të përfitojë nga këto zhvillime, duke pasur parasysh se anembanë globit deri në vitin 2025, teknologjia e bazuar në internet pritet të marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe të kapë vlerën e 6,2 trilionë dollarëve amerikanë, derisa ndikimi i përgjithshëm ekonomik i Internetit të Gjërave do të jetë ndërmjet 4 dhe 11 trilionë dollarëve amerikanë.

Që kjo të ndodh, pjesëmarrësit e tryezës kërkuan nga institucionet përgjegjëse që sa më shpejtë të aprovojnë dhe fillojnë implementimin e Strategjisë së Zhvillimit të Teknologjisë së Informacionit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)