23 Dhjetor 2024

Fillon simpoziumi mbarëshqiptar në shkencat kompjuterike

Prishtinë, 28 dhjetor - Sot, në Prishtinë filloi Simpoziumi mbarëshqiptar në shkencat kompjuterike. Ky simpozium organizohet nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Qëllimi i tij, përveç prezantimit të punimeve nga shkencat kompjuterike, është edhe bashkëpunimi mes Ministrisë së Diasporës, Universitetit të Prishtinës dhe profesorëve e hulumtuesve shqiptarë të diasporës në këtë fushë.

Në këtë simpozium po marrin pjesë profesorë e studiues shqiptarë nga universitete të ndryshme të botës, si nga Austria, Gjermania, Italia, Franca, Suedia, SHBA-ja, por edhe ata nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. 

Ministri i Diasporës, Valon Murati, i pranishëm në këtë simpozium, i përgëzoi profesorët, njëherësh hulumtuesit shqiptarë të diasporës nga fusha e shkencës teknologjike, duke thënë se ky simpozium është hapi i parë i bashkëpunimit mes diasporës shqiptare nga kjo fushë dhe institucioneve të Kosovës.

Ai tha se do të ndihmohet që të bëhet rrjetëzimi i njerëzve të diasporës sonë në shkencat kompjuterike dhe që ky simpozium të bëhet tradicional, si dhe në të të përfshihet një numër sa më i madh i shqiptarëve.

“Ne, si Ministri e Diasporës, e kemi mision të punojmë dhe t’i identifikojmë njerëzit tanë, shqiptarë të suksesshëm, kudo ku janë. Përveç në fusha të ndryshme, edhe në shkenca kompjuterike kemi shqiptarë që po depërtojnë në sfera të larta intelektuale, akademike, por edhe në fushën e ekonomisë, në vendet ku ata jetojnë. Prandaj, ne si shoqëri duhet të krijojmë mekanizma dhe ura ndërlidhëse me këto resurse, në mënyrë që t’i vënë në funksion të zhvillimit e të transferit të dijes”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Në fund të fjalës, ministri Murati theksoi se mbajtja e këtij simpoziumi është e rëndësishme, ngase krijon mundësi   që njerëzit tanë nga diaspora të takohen me ata në Kosovë, të shkëmbejnë përvoja për dijen e fituar, po edhe të debatohet për tema në fushën e teknologjisë informative.

Edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i përgëzoi kërkuesit shqiptarë nga diaspora në këtë fushë, duke thënë se ardhja e tyre në këtë simpozium është me rëndësi për shkëmbimin e përvojave për një temë shumë të rëndësishme. Duke qenë një fushë me rëndësi të veçantë për arsimin, shkencën, por edhe për ekonominë, edhe ministri Bajrami shprehu përkrahjen e tij për vazhdimësinë e aktiviteteve të tilla edhe në të ardhmen.

Me nga një fjalë u paraqitën edhe prodekani i UP-së dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Më pas filloi pjesa tematike e simpoziumit, ku profesorët dhe hulumtuesit shkencorë nga diaspora shqiptare u paraqitën me punimet e tyre shkencore, duke ofruar para të pranishmëve shembuj konkretë për të arriturat dhe punën që bëhet në fushën e teknologjisë informative.

Në simpoziumin mbarëshqiptar në shkencat kompjuterike u diskutuan tema të ndryshme, si Dizajni i algoritmeve –të mësuarit e makinës, qëllimi, problemet që lidhen me të dhe zgjidhja e tyre; Digjitalizimi i shoqërisë –mundësi dhe sfidat; Çështjet e privatësisë në sistemin mobil etj.      

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)