Fati i internetit vendoset në konferencën që po mbahet në Dubai
Dubai, 4 dhjetor - Në Dubai u hap Konferenca mbarëbotërore për telekomunikacionin ndërkombëtar, ku do të shqyrtohen çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e Internetit.
Përfaqësuesit e pothuajse 200 vendeve do të takohen për rishikimin e Marrëveshjes për rregullimin e komunikimeve ndërkombëtare, të cilat nuk janë përditësuar që nga momenti i shfaqjes së WEB-it.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila drejton konferencën, deklaroi se do të fokusojë vëmendjen kryesisht në çështjet e sigurisë së Internetit dhe zgjerimin e shërbimeve të telekomunikacionit në vendet në zhvillim.
Megjithatë, shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja druhen se aplikimi i rregullimit shtetëror të rrjetit mund të dëmtojë zhvillimin e Internetit dhe do të thjeshtojë mbikëqyrjen e aktiviteteve të përdoruesve të Internetit.
Kompania Google, e cila merr pjesë gjithashtu në këtë konferencë, mendon se rregullorja mund të kërcënojë Internetin \"e hapur\".