Facebook, "qyteti" me 500 milionë banorë aktivë
SHBA, 24 maj - Në javët e ardhshme Facebook-u do të ketë në mesin e tij zyrtarisht 500 milionë banorë aktivë. Nëse faqja do marrë terra firma, atëherë do ishte vendi i tretë në botë me popullsinë më të madhe. Më shumë se 1 në 4 vetë që përdorin internetin jo vetëm që kanë një llogari të Facebook-ut, por i janë rikthyer asaj brenda 30 ditës.
Vetëm gjashtë vjet pasi student i Harvardit, Mark Zuckerberg ndihmoi në themelimin e Facebook-ut në dhomën e konviktit si mënyrë që studentët të kontaktonin me njëri-tjetrin, kompania është rritur në shkallët më të larta të uebit. Microsoft krijoi kompjuterë që janë më të lehtë për tu përdorur. Google na ndihmon të kërkojmë të dhënat tona. YouTube na zbavit me muzikë dhe filma.
Por, Facebook ka një epërsi të madhe ndaj këtyre të tjerave: investimin emocional të përdoruesve. Facebook-u na bën të buzëqeshim, të rrasemi nëpër poza fotografish që të shohim veten online më vonë, të qeshim kur shohim se kush nga shokët e shoqet tona të shkollës së mesme është shëndoshur, të na prishet qejfi kur askush su përgjigjet komenteve tona të mprehta, të rregullojmë statusin kur ndahemi e martohemi. Të arrish në pikën, ku aq shumë prej nesh ndjehen rehat duke shpenzuar pjesën më të madhe të jetës në Facebook, përbën një zhvendosje të jashtëzakonshme kulturore, veçanërisht duke pasur parasysh që 28 për qind e përdoruesve janë mbi 34 vjeç.
Facebook-u ka ndryshuar ADN-në tonë sociale dhe po na bën më të mësuar me hapjen. Por ky sit është pritet të përballet me një kontradiktë: Facebook-u është i pasur në mundësi intime, duke qenë se ju mund të postoni momentet më të gëzuara e të dhimbshme të jetës suaj aty, por kompania po fiton para duke transmetuar këto momente. Vullneti i përdoruesve të Facebook-ut për të dhënë informacione të detajuara është kritik.
Prandaj shumë shpejt Facebook-u do zbulojë rregullat e reja të ruajtjes së privatësisë. Por Zuckerberg është gati të vërë bast se kjo nuk është e parehatshme për njerëzit, të cilët do ndalonin që të ndanin momentet e tyre në rrjetin social. Ai është gati të zotohet se nuk ka thuajse asnjë kufizim të asaj që njerëzit do i ndajnë informacionet me të tjerët dhe se si kompania e tij do përfitojë prej kësaj.
Godina e re është në ndërtesën 1601 të California Avenue, dy hapa larg Standford University. Një ndërtesë e bukur e re e zhytur në jeshillëk. Por do të zgjasë pak, duke parë ritmin me të cilën shoqëria rritet: 1000 nëpunës të cilët që tani duken pak, për të menaxhuar 400 milion përdoruesit në të gjithë botën, me 55 milion profile të azhornuara çdo ditë, 2,5 miliard foto që futen çdo ditë.
Kur nisi Facebook-u, në shtator të vitit 2006, përdoruesit ishin gati 7 milion. Facebook nuk është më faqja e librit të djemve të kolegjit, pasi që kjo faqe tani njihet në gjithë botën, qesh Debbie Frost, drejtori i komunikimit global. Hyn në një hapësirë të madhe të populluar nga inxhinier të ri që ecin me lap top të hapur në dorë. Preokupimi i Silikon Vallei, zemra e teknologjisë së lartë të Shteteve të Bashkuara, rreh gjithmonë. Misioni ynë është të lidhim personat me përmbajtjen, shpjegon Brandee Barkes, drejtor i komunikimit, i cili nuk i shmanget pyetjeve të gazetarëve. Secili sot është drejtor i vetvetes: ne vendosim në kontakt personat dhe nëse njëri regjistrohet për herë të parë në Facebook për të gjetur miqtë, më pas zbulon edhe informacionin, videot, fotot, diskutimet dhe interaktivitetin. E gjitha kjo krijon vlerë, për ne dhe për të gjithë rrjetin.
Nuk ka dyshim se Facebook është bërë një gjë shumë e ndryshme nga ajo që ishte kur nisi në 2006. Pas një ekspansioni të shpejtë ndërkombëtar, shoqëria shikon me vëmendje zhvillimin e vet si media sociale dhe bashkëveprimin me botën e informacionit dhe të gazetarisë. Ka ndonjë gjë më të mirë sesa leximi i një historie? Po, të jesh pjesë e saj thotë Brandee, ndërkohë që në ekranin e madh lëvizin imazhet e revoltës në Iran, të postuar nga përdoruesit e Facebook në kohë reale.
Ne duam të zgjerojmë ndikimin e informacionit dhe gazetarisë thotë ai. Ja gjëja e madhe më e mirë, ja hapi tjetër i Facebook: rritja e nivelit të përmbajtjes falë martesës me informacionin cilësor që mediet e mëdha mund të garantojnë. Si për shembull citohet gazeta Huffington Post e cila i është bashkuar pa rezerva konceptit lajme sociale. Në faqet e krijuara në Facebook nga Huffington Post, përdoruesit mund të qëndrojnë në kontakt me miqtë dhe të diskutojnë me ta lajmet e reja. Rezultati është i mrekullueshëm: Huffington Post, falë pranisë në Facebook, ka rritur me 500 për qind kontaktet e saj, me një rritje të përdoruesve në mbi 50 për qind. Raporti Facebook dhe informacioni është gjithmonë e më i ndërlidhur bashkë. Shumë gazetarë tani përdorin platformën për punën e tyre. Edhe për gazetarinë hulumtuese, për të cilën shumë njerëz theksojnë se ka vdekur.
Jon Swartz, gazetare e USA Today, lëshon disa tema mbi faqen e Facebook, mbledh informacion nga përdoruesit, e diskuton me ta dhe më pas shkruan historitë në USA Today, duke sjellë atë që vjen nga lexuesit. Një formë e re e gazetarisë së përzier, që bashkon rregullat e vjetra të profesionit me qytetarinë e gazetarisë. Edhe modeli i biznesit të Facebook, që në fillim dukej i errët, tani është i konsoliduar: Shesim publicitet, si shumë kompani interneti, thotë Brandee. Dhe nuk ka dyshim se me 500 milion përdorues, të cilët shoqëria i njeh të gjithë shijet, pasionet, zakonet, por edhe moshën, lokalitetin gjeografik, statusin social nuk është e vështirë të gjesh kompani të gatshme për të investuar në promovimin e produkteve të tyre. Përfitime të larta dhe mision i lartë janë dy objektivat për të garantuar zhvillimin e ardhshëm të shoqërisë: Duam të ndihmojmë personat që të ndajnë në ueb çdo gjë, kudo, në çdo moment, dhe të sjellim lajmet në botë thotë Brandee. Tingëllon e çuditshme për një gazetar: Të çosh lajmet në botë ishte misioni me të cilin në 1846 u themelua në New York Associated Press. Por le të mos e bëjmë çështje primati: na pëlqen apo jo, kohët kanë ndryshuar.
Facebook-u është klasifikuar si një nga 20 kompanitë amerikane më të besuara për sa i përket çështjeve të privatësisë. Një arsye tjetër pse rrjetet sociale janë bërë aq popullore është se ka shumë gjëra që mund të bësh me to, ngaqë kompani si Facebook-u dhe MySpace kanë lejuar sipërmarrës të pavarur të krijojnë programe të njohura si aplikime. Kjo ndarje punësh u shpërndan para të gjithëve. Disa njerëz mendojnë se efekti i rrjetit të Facebook-ut është aq i madh, sa do jetë e pamundur të ulet nga piedestali si vendi më i madh virtual i takimit në botë. Misioni i rrjeteve sociale njerëzore shpeshherë mendohet të jetë thuajse pa limite, veçanërisht në epokën moderne.