Facebook pranon rrezikun e abuzimit me të dhënat e përdoruesve të tij
New York, 24 gusht - Rrjeti amerikan i medias shoqërore Facebook, tha se të dhënat private të rreth 4 milionë përdoruesve të tij mund të jenë keqpërdoruar nga një aplikacion i palës së tretë.
Aplikacioni "myPersonality" ishte aktiv kryesisht deri në vitin 2012. Tashmë ky aplikacion rezulton i bllokuar.
"Fackbook"-u ka njoftuar lidhur me këta 4 milion përdoruesit e tij të cilët zgjodhën të ndajnë të dhënat e tyre personale me aplikacionin në fjalë.
Ai gjithashtu vë në dukje se nuk është gjetur asnjë dëshmi që aplikacioni "myPersonality" të ketë patur akses edhe në të dhënat personale të miqve të përdoruesve të prekur nga ky skandal.
"Facebook"-u ka hetuar mijëra aplikacione që nga marsi i këtij viti, si pjesë e një fushateje për të goditur aplikacionet e palës së tretë që ndajnë në mënyrë të paligjshme të dhënat e përdoruesve.
Deri më tani, "Facebook"-u ka pezulluar më shumë se 400 aplikacione.