Facebook për të pasurit
New York, 20 shtator - Facebook dhe media të tjera sociale në internet janë për të gjithë, qoftë për të pasur, edhe për të varfër, por ky fakt mund ti krijojë bezdi disa personave që siç thuhet, i kanë xhepat plot.
Nuk mund të kenë ekskluzivitet. Por tani, duke paguar 9 mijë dollarë si fillim dhe një pagesë vjetore prej 3 mijë dollarësh, të pasurit e botës mund të kontaktojnë njëri-tjetrin, të shkëputuar nga pjesa tjetër e publikut që komunikojnë on line.
Kompozitori dhe ish-dirigjent i Orkestrës Filarmonike të Minesotës, James Touchi-Peters, është personi që e filloi këtë javë klubin ekskluziv në Internet, duke e quajtur atë Netropolitan. Ai e quan atë një lloj klubi on line.
Klubi on line ka disa kushte: anëtarët e tij duhet të jenë mbi 21 vjeç, ata duhet të përdorin emrin e tyre të vërtetë dhe adresat reale, si dhe duhet të japin informacionet kryesore për veten dhe formimin e tyre. Ndërsa shoqërohen on line, anëtarët e klubit nuk do të bezdisen nga reklamat e ndryshme, edhe pse disa biznese do të lejohen të postojnë reklama të faqe, për ti shkëmbyer midis tyre.
Tek kjo faqe elektronike nuk mund të kenë akses mjetet publike të kërkimit të internet dhe ajo do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm, për të mos inkurajuar sjelljet e këqia on line.
Nuk dihet akoma se sa njerëz janë bërë anëtarë të klubit në internet dhe në faqen e Netropolitanit thuhet se Nuk do të deklarojmë kurrë publikisht numrin e saktë të anëtarëve të klubit dhe sidomos, nuk do të publikohet kurrë dhe as do të jepet informacion për identitetin e cilitdo anëtar të klubit. Në asnjë rast., thuhet në faqe.