Facebook ndalon reklamat e reja politike para zgjedhjeve në SHBA
New York, 4 shtator - Kompania Facebook Inc tha të enjten se do të ndalë pranimin e reklamave të reja politike një javë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke rritur shqetësimet se qasja e saj e shpenguar ndaj fjalës së lirë, mund të shfrytëzohej edhe një herë për të ndërhyrë në votime.
Rrjeti më i madh social botëror njoftoi gjithashtu se do t’u vinte një etiketim postimeve të kandidatëve ose zyrtarëve të fushatave para se të bëheshin zyrtare rezultatet e zgjedhjeve dhe se do të zgjeronte kriteret për përmbajtjet që do të duhet të hiqeshin nga media sociale, të konsideruara si presion mbi votuesit.
Shefi Ekzekutiv Mark Zuckerberg shkruante në një postim në Facebook duke njoftuar ndryshimet që ai ishte i shqetësuar mbi sfidat e veçanta me të cilat po përballeshin votuesit për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila ka nxitur një rritje të votimit me postë.
"Jam gjithashtu i shqetësuar se në vendin tonë kaq të ndarë dhe ndërsa rezultatet e zgjedhjeve do të kërkojnë potencialisht ditë ose edhe javë për t'u finalizuar, mund të ketë një rrezik në rritje të trazirave civile në të gjithë vendin", shkruante ai.
Zoti Zuckerberg ka mbrojtur më parë vendimin e tij për të lejuar lirisht postimet me përmbatje politike në Facebook, përfshirë përmes reklamave të paguara, të cilat kompania i përjashton nga programi i saj i kontrollit të fakteve me partnerë të jashtëm, përfshirë agjencinë Reuters.
Ai tha se vazhdon të besojë se "antibiotiku më i mirë ndaj postimeve me përmbajtje problematike është shpalosja e më shumë postimeve", por pranoi se në ditët e fundit të zgjedhjeve "mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për të kundërshtuar pretendimet e reja që ngrihen nëpërmjet tyre".