Facebook mundëson kontaktin e miqve përmes thirrjeve me zë
New York, 7 janar - Facebook është duke u përgatitur ta lansojë një funksion të ri në aplikacionin e saj Messenger, me të cilin do tu mundësojë përdoruesve të rrjetit social të thërrasin miqtë e tyre krejtësisht falas.
Fillimisht, ky funksion i ri i aplikacionit është në dispozicion vetëm për përdoruesit e telefonave të mençur në Kanada, dhe i njëjti do të mundësojë përdoruesve të bëjnë thirrje me zë pa pagesë përmes internetit, ose thirrje përmes shërbimit të njohur si VoIP, tek secili shok që ata e kanë në Facebook.
Ekspertët e industrisë thonë se risia e fundit e paralajmëruar nga Facebook është një përpjekje e rrjetit më të madh social për të dominuar në botën sociale, duke zëvendësuar funksion bazë të telefonave mobil thirrjet, shkruan \'Daily Mail\'.
Funksioni i ri vjen në të njëjtën kohë me përditësimin e ri të bërë nga aplikacioni Facebook Messenger që tani i lejon përdoruesit të regjistrojnë dhe dërgojnë porosi me zë tek miqtë e tyre.
Në formë pak a shumë të njëjtë punon edhe aplikacioni tjetër i Facebook, Poke, në të cilin përdoruesi e shtypin dhe e mbajnë të shtypur butonin për incizim, e bëjnë porosinë, dhe më pas biseda paraqitet në dialog.