Facebook me platformë të veten të reklamave në celularë
New York, 20 shtator - Më në fund, Facebook ka vendosur të futet në sektorin e reklameve në celularë, shkruan portali marketingut campaign.al.
Facebook kishte kohë që po testonte platforma të ndryshme për reklama në celularë. Tani, pas përfundimit të testeve duket se Facebook do të lançojë platformën e vet, duke ju shfaqur reklama vizitorëve nga celulari në Facebook dhe në aplikacionet tjera të lidhura me Facebook, gjë që pritet ti sigurojë kësaj kompanie të ardhura të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të para, reklamat do të fokusohen të shprehitë, pëlqimet dhe sjelljet e vizitorit, jo te pëlqimet e shokëve të tij në Facebook.
Aktualisht mbi 50% e vizitorëve të Facebook vijnë nga celularët ndërsa kjo kompani deri më tani ka shfrytëzuar minimalisht këtë potencial.
Në ditët në vazhdim pritet të mësojmë më shumë detaje rreth kësaj iniciative të re të Facebook.