Facebook mbyll llogari të rreme për të luftuar propagandën
New York, 1 gusht - Kompania Facebook thotë se ka mbyllur 32 llogari në Facebook dhe Instagram, sepse ishin "të përfshira në sjellje të koordinuara dhe të rreme".
Kompania tha në një deklaratë të martën se ende nuk e di se kush qëndron pas tyre, por shtoi se ka gjetur pika kontakti midis llogarive që i ka hequr nga përdorimi dhe atyre të lidhura me Agjencinë Ruse të Kërkimit në Internet, për të cilën mendohet të ketë postuar propagandë që ndikoi në zgjedhjet amerikane të 2016-s.
Deklarata thotë se kompania hoqi tetë faqe dhe 17 profile nga Facebook-u dhe shtatë llogari të Instagram-it që kishin shkelur rregullin, i cili ndalon "sjelljet e rreme dhe të koordinuara”.
Kompania tha se më shumë se 290 mijë llogari ishin ndjekëse të të paktën njërës prej faqeve të rreme.
Facebook tha se po e bënte publik këtë informacion, për shkak të një lidhjeje midis "aktorëve të këqij" pas faqeve të Facebook-ut dhe Instagram-it dhe disa protestave që janë planifikuar për javën e ardhshme në Uashington, D.C.
Facebook tha se subjektet, të cilat qëndronin prapa llogarive në fjalë, shpenzuan rreth 11,000 dollarë në Facebook dhe Instagram për 150 reklama, të cilat u paguan me dollarë amerikanë dhe kanadezë.
Facebook gjithashtu anuloi një ngjarje të postuar nga njëra prej llogarive, një faqe e quajtur "Resisters", e cila u bënte thirrje njerëzve të merrnin pjesë në një kundërprotestë ndaj një grupi të quajtur "Unite the Right" të planifikuar për në muajin gusht në Uashington, D.C.
Facebook tha se ia ka raportuar të gjitha këto organeve ligjzbatuese dhe se do të vazhdojë kërkimin për llogari të tjera të rreme.