Facebook kritikon Obamën për privatësinë
Kaliforni, 16 mars - Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg i shprehu zhgënjimin e tij presidentit amerikan, Barak Obama për përgjimet e Internetit.
I cilësuar si Ati i rrjetit të parë social, Zuckerberg postoi një mesazh në faqen e tij, ku dukej qartë se ishte i revoltuar për mënyrën se si administrata e Barak Obama po menaxhon çështjen e survejimit të privatësisë.
I kam kërkuar personalisht Obamës më shumë transparencë, por për momentin çdo reformë më duket edhe më e largët. Qeveria amerikane- tha 29-vjeçari duhet jetë kampion i Internetit dhe jo një kërcënim për të. Kur motorët tanë punojnë pa u lodhur për të përmirësuar sigurinë- tha ai- ne mendojmë se po ju mbrojmë kundër kriminelëve dhe jo nga qeveria jonë.
Komentet e tij vijnë një ditë pas raportimeve se Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA, kishte imituar serverin e Facebook-ut për të infektuar kompjuterët që ishin vënë në shënjestër. Për NSA, këto raportime nuk janë të sakta. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kejtlin Hejden tha se Presidenti kishte folur me Zuckerberg-un të mërkurën në mbrëmje, pas publikimit të raportimeve të fundit në media, mbi aktivitetet e fundit të shërbimeve sekrete të SHBA-se. Por ajo nuk dha detaje te tjera, transmeton BW.
Të gjitha faktet që lidhen me Agjencinë Kombëtare të Sigurisë janë publikuar nga ish-nëpunësi i saj, Edward Snowden. Sipas dokumenteve që ai zotëron, agjencitë kishin mundësi te hynin në nëntë kompanitë më të mëdha të teknologjisë: Microsoft, Yahoo, Google, Facebook, AOL, Skype, YouTube dhe Apple. Të gjitha kompanitë e përmendura, mohuan të ishin të përfshira në këto operacione përgjimi...