Facebook kërkon falje për sistemin e njohjes së fytyrave
New York, 13 qershor - Facebook ka kërkuar falje për mënyrën si nxori një sistem të ri, i cili njeh fytyrat e përdoruesve. Rrjeti social tha se do të kishte bërë më tepër për të njoftuar anëtarët rreth lançimit global.
Opsioni Tag Suggestions skanon foto dhe automatikisht përzgjedh miqtë ekzistues. Megjithëse përdoruesve u jepet mundësia për ta çaktivizuar atë, disa janë ankuar se nuk janë pyetur nëse donin ta aktivizonin.
Facebook tha se sistemi kishte për qëllim të përshpejtonte procesin e atribuimit të një emri me një foto, njohur si etiketim.
Prezantimi i këtij opsioni është bërë në SHBA në dhjetor të 2010, por vetëm tani është lëshuar në vendet e tjera të botës.