23 Dhjetor 2024

Facebook, Google dhe Twitter raportojn sot në Washington lidhur me aktivitetin rus

Washington, 31 tetor - Drejtues të kompanive Facebook, Google dhe Twitter do t’u përgjigjen pyetjeve në Washington sot në lidhje me aktivitetin rus në platformat e tyre dhe ndikimin që kjo ndërhyrje ka pasur në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Në epiqendrën e industrisë dixhitale, Silicon Valley, është shfaqur shqetësimi se mund të rriten rregulloret qeveritare mbi këtë sektor. Korrespondentja Michelle Quinn njofton:

Është mëse e qartë se Facebook është një kompani gjithmonë në rritje, mjafton të bësh një vizitë në zyrat qëndrore.

Por kjo kompani, si dhe shumë të tjera të të njëjtit profil, janë vënë në shënjestrën e autoriteteve për rolin që mund të kenë luajtur në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar. Ato dyshohet se kanë ndihmuar agjentët rusë të ndikojnë tek zgjedhjet që nxorën fitues Donald Trump.

“Facebook-u ka më shumë përgjegjësi nga çfarë pranon... Mund të mos e kenë kuptuar plotësisht se çfarë po ndodhte në këtë luftë propagandash, por e kishin të qartë se po merrnin pjesë në një proces që po ndikonte në procesin zgjedhor,” thotë një pedagoge në departamentin e juridikut të Universitetit Berkley.

Ann Ravel ka qenë më parë komisionere në Komisionin Federal për Zgjedhjet.

“Në thelb të procesit, duhet të ketë transparencë”.

Udhëheqës në Kongres, si dhe shumë amerikanë, duan të dinë se si Google, Facebook dhe Twitter janë përdorur nga forca të huaja për të ndikuar tek zgjedhjet.

“Media sociale është e hapur për të gjithë. Për sa u përket zhvillimeve politike, platformat sociale janë të dështuara, ose thjesht krijojnë polemikë. Pasi dihet se njerëzit mund të futen lirisht dhe të debatojnë për çdo gjë, e vërtetë apo e sajuar ”.

“Mendoj se Facebook ka përgjegjësi pasi kur mëson se po ndodh diçka që ndikon tek demokracia jonë, kur ke sinjale që janë informata të sajuara, e ke për detyrë të veprosh. Bëhet fjalë për demokracinë tonë!”

“Mendoj se duhet të ndëshkohen në një farë mënyre pa ndërhyrë tek të drejtat e qytetarëve për shprehje të lirë. Nëse kanë luajtur rol në këtë proces, ata janë fajtorë”.

“Interneti paraqet sfida unike për demokracinë. Fillimisht të gjithë e shihnin internetin si një forcë që i shërben barazisë në shoqëri, duke u ofruar atyre që nuk kishin zë një platformë për t’u shprehur. Por shpejt e kuptuam se kur i jep një individi të drejtën të flasë me sa njerëz të dojë, kjo u ofron mundësi disave të hedhin ide kundër demokracisë,” thotë Nate Persily, pedagog i juridikut në Universitetin Stanford.

Një propozim në Kongres parashikon që kompanitë teknologjike të bëjnë të ditur kush ka paguar për një reklamë politike.

“Ashtu si edhe në raste të tjera kur miratohen ligje që vendosin rregullore mbi lirinë e fjalës, ekziston rreziku që rregulloret të jenë më kufizuese se duhet. Si në rastet kur është Kongresi, qeveria apo vetë platformat dixhitale, që përpiqen të zgjidhin një problem të caktuar, rezultati mund të jetë i dëmshëm për lirinë e fjalës në spektrin politik,” thotë pedagogu Persily.

Kompanitë teknologjike thonë se po bashkëpunojnë me Kongresin dhe organet hetimore. Por ato ndërkohë po bëjnë lobizëm në Uashington për të mos lejuar që rregulloret e reja të dëmtojnë bizneset e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)