27 Dhjetor 2024

Facebook dhe Apple, ndihmë financiare për fertilitetin

New York, 3 dhjetor - Kompanitë Facebook dhe Apple tashmë do të ofrojnë deri në 20 mijë dollarë për të ndihmuar punonjëset të paguajnë trajtimet e infertilitetit, shtatzaninë artificiale, madje dhe për ngrirjen e vezëve.
 
Ky veprim nga kompanitë Facebook dhe Apple vjen mes konkurrencës së ashpër për inxhinierë të aftë dhe ndërkohë që shumë nga firmat më të mëdha po përpiqen të shtojnë larminë gjinore në radhët e tyre, të dominuara nga meshkujt, për të përfshirë dhe për të tërhequr më shumë gra.

Gjigandët e teknologjisë kanë synuar gjithmonë të ofrojnë shërbime lehtësuese për punonjësit. Drejtuesit thonë se vende pune si selia e e Google në Mountain View të Kalifornisë janë të nevojshme për të tërhequr talentet më të mira dhe për të nxitur krijimtarinë. Google në mjediset e saj përfshin një floktore, pastrim kimik dhe ushqim dhe pije falas.

Por kompania Facebook këtë vit filloi të ofrojë deri në 20 mijë dollarë mbulim shpenzimesh për çështjet e lidhura me riprodhimin, gjatë kohës së punësimit. Kompania Apple do të ofrojë përfitime të ngjashme vitin e ardhshëm dhe elementi i ri që i shtohet këtyre shërbimeve është ngrirja e vezëve.

Ky proces përfshin heqjen e vezëve të një gruaje dhe ftohjen e tyre në temperatura nën zero për t\'i ruajtur dhe për t’i përdorur në të ardhmen, dhe për të ndaluar ndryshimin apo zhvillimin e tyre.

Mesatarja e grave që patën fëmijën e parë mes moshës 40 dhe 44 vjeçare është më shumë se dyfishuar në 20 vitet e fundit, sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Ndërkohë që më shumë gra presin më gjatë për të pasur fëmijën e tyre të parë, numri i grave që zgjedhin të ngrijnë vezët është në rritje në mbarë botën.

Kompanitë në Silicon Valley tani tërheqin gra në punë të nivelit të lartë dhe ndoshta personi me profilin më të lartë është Shefja e Operacioneve e Facebook-ut Sheryl Sandberg.

Ngrirja e vezëve i jep grave një mundësi për t\'u përqëndruar në karrierë ose në arsim dhe administratorja e lartë Sandberg ka inkurajuar gratë që të punojnë në kompanitë e teknologjisë në pozicione të larta. Por disa kritikë thonë se pagesa e shpenzimeve lidhur me fertilitetin nuk mjafton për të tërhequr gratë në kompanitë e teknologjisë.

Dr Marie Wren është eksperte e fertilitetit dhe zëvendës drejtoreshë e klinikës private Lister në zonën Chelsea të Londrës:

\"Do më pëlqente të shihja kompani të mëdha ndërkombëtare që mbështesin gratë për të patur fëmijë, por vetë t’u ofrosh mbështetje financiare për të ngrirë vezët ndoshta nuk është paketa e plotë që do të ishte e dobishme. Do të ishte mirë nëse i mbështesin gratë të punonin me kohë të pjesshme dhe të kishin fëmijë dhe të kishin shërbime të mira çerdheje. \"

Jashtë dyqanit kryesor Apple në Londër, blerësit ishin nuk ishin të bindur nëse do ta vlerësonin si pozitiv faktin që punëdhënësi i tyre ofron mbështetje financiare për të shtyrë shtatzëninë.

 \"Vërtetë nuk e di. Ajo që di është se unë dua të kem një familje dhe çdo gjë që mund të rrezikonte shanset për këtë nuk do ta pranoja.\"

\"Nuk i takon punëdhënësit të thotë se ku dhe kur duhet të kesh një fëmijë. Duhet të jesh në gjendje të kesh fëmijën tënd kur dëshiron dhe s’është aspak punë e tyre.\"

Peggy Corrigan është e shqetësuar se gratë që nuk do të donin të pranonin ofertën e ndihmës financiare mund të ndihen të detyruara ta bëjnë këtë në një mjedis pune konkurrues:

\"Ato mund të jetë nën presion, sepse mund t’i krahasojnë me ato që zgjedhin ta pranojnë këtë ofertë (pra të ngrijnë vezët) dhe mund të ta duan këtë gjë për arsye profesionale.\"

Spitali Guy ka një nga qendrat më të ngarkuara të riprodhimit të asistuar në Britani. Yacoub Khalaf është drejtor i qendrës:

\"Asgjë nuk është e garantuar, por tani që kemi teknologjinë e nevojshme në dispozicion – nëse njerëzit kanë burimet dhe informacionin e duhur, me pritshmëri reale – nuk ka asgjë të keqe të konsiderosh këtë veprim si siguracion.\"

Ndërsa teknologjia për ngrirjen së vezëve është bërë më e sofistikuar dhe e suksesshme, ekspertët theksojnë se ngrirja e vezëve nuk është gjithmonë e suksesshme. Dr. Marie Wren paralajmëron se as ngrirja e vezëve në moshë të re nuk jep garanci.

Pritet që gjithmonë e më shumë gra të konsiderojnë marrjen e ndihmës financiare të fertilitetit nëse kompani të tjera fillojnë ta shohin këtë si një mënyrë për të tërhequr gratë më të talentuara dhe për t’i bindur të qëndrojnë në atë vend pune.

Ndërsa kompanitë e teknologjisë përpiqen të tërheqin sa më shumë gra në mjediset e tyre kryesisht mashkullore, për disa gra ky mund të jetë një përfitim që ia vlen të konsiderohet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)