29 Maj 2023

Evropa e alarmuar nga rreziqet e ChatGPT

Bruksel, 11 maj - Të alarmuar nga rreziqet e ChatGPT, rregullatorët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në Evropë po kërkojnë mënyra për të ngadalësuar nxitimin e njerëzimit në të ardhmen digjitale. ChatGPT, deri më tani regjistron mbi 1.6 miliardë vizita që nga dhjetori.

Europol, Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin në Zbatimin e Ligjit, paralajmëruan në fund të marsit se ChatGPT, vetëm një nga mijëra platformat e inteligjencës artificiale mund të ndihmojë kriminelët në krijimin e viruseve kompjuterike dhe madje edhe akte terroriste.

“Nëse një kriminel i mundshëm nuk di asgjë për një zonë të caktuar krimi, ChatGPT mund ta përshpejtojë procesin e kërkimit në mënyrë të konsiderueshme duke ofruar informacione kyçe që më pas mund të eksplorohen më tej në hapat pasues."

"Si i tillë, ChatGPT mund të përdoret për të mësuar rreth një numri të madh të zonave të mundshme të krimit pa njohuri paraprake, duke filluar nga mënyra se si të hyni në një shtëpi te terrorizmi, krimi kibernetik dhe abuzimi seksual i fëmijëve.”-thuhet në raportin e Europol.

Muajin e kaluar, Italia vendosi një ndalim të përkohshëm të ChatGPT pas një defekti që ekspozoi skedarët e përdoruesve. Kompania që ka krijuar OpenAI arriti një marrëveshje me Autoritetin italian të Mbrojtjes së të Dhënave dhe ranë dakord që të respektojnë legjislacionin evropian për privatësinë.

Autoriteti e kishte bllokuar shërbimin më të përdorur të inteligjencës artificiale në botë, sepse nuk garantonte mbrojtjen e të dhënave personale dhe përdorimin që sistemi i bën për të përmirësuar algoritmet.

Ndërkaq, Spanja, Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë ankesat për shkelje të të dhënave personale dhe këtë muaj Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave të BE-së formoi një grup pune për të koordinuar rregulloret në të gjithë Bashkimin Evropian prej 27 vendeve.

Javen e kaluar shefat e teknologjisë janë thirrur në Shtëpinë e Bardhë ku në një takim u këshilluan që t’i mbrojnë njerëzit nga rreziqet e inteligjencës artificiale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)