Erdogan bllokon edhe YouTube-n
Ankara, 29 mars - Pas Twitter-it, bllokohet edhe You Tube në Turqi. Autoriteti i Telekomunikacionit e argumentoi këtë vendim si "një masë administrative".
Disa orë më parë ishte publikuar në You Tube një video-bisedë mes ministrit të Jashtëm Ahmet Davutoglu dhe shefit të Shërbimit Sekret dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Në bisedën mes tyre kërkohet fabrikimi i një preteksti për të nisur luftën me Sirinë. Sipas qëndrimit zyrtar, kjo video është një nga publikimet më të tmerrshme që janë bërë muajt e fundit. Vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 30 Marsit, qeveria turke ka dalë e zbuluar.
Ministria e Jashtme e Turqisë ka konfirmuar vërtetësinë e videos dhe deklaron se biseda është zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Jashtme, raporton gazeta "Hürryiet", por ministria deklaron se përmbajtja e saj është ndryshuar.
"Përhapja e një viedoje të tillë ku diskutohen tema mjaft të ndjeshme për sigurinë kombëtare është një sulm dashakeq kundër sigurisë kombëtare në Turqi, akt spiunazhi, të cilit i është ekspozuar vendi ynë", thuhet në deklaratën e ministrisë. Edhe kryeministri Erdogan e kritikoi publikimin e videos gjatë fushatës zgjedhore në lindje të Turqisë, duke e quajtur publikimin si "të pamoralshëm, të padenjë dhe të pështirë."
Komuniteti i internetit reagoi menjëherë pas bllokimit që iu bë YouTube-it. Një përdorues shkruan se "çfarë duhet bërë më për ta çuar vendin në mesjetë? Të bllokojmë Facebookun?
Prisni pra edhe rrymën elektrike!" Ndërsa, një përdoruese e cilëson këtë vendim si një shtypje të hapur të lirisë së shprehjes. Ndërkohë, edhe Këshilli Mbikqyrës i Mediave në Turqi (RTÜK) ua ka ndaluar mediave turke publikimin e kësaj videoje. Ndërkohë, prokuroria në Ankara ka nisur hetimet rreth videos, raporton "Hürriyet".
Në bisedë me Deutsche Wellen, juristi Bertan Tokuzlu, shprehet se regjistrimi i bisedës të krijon përshtypjen se qeveria do të krijojë një problem ndërkombëtar.
Por "po qe se qeveria donte të krijonte pretekstin e një lufte, kjo është absolutisht kundër së drejtës ndërkombëtare." Duhet parë edhe ana tjetër, thotë Tokuzlu.
"Këtu bëhet fjalë për spiunazh. Biseda e publikuar u bë në një vend të sigurt dhe bëhet fjalë për një temë mjaft sensibile: të bëhet apo jo luftë me Sirinë", është i mendimit Tokuzlu, duke shtuar se kjo përmbajtje duhet të dilte me sa duket në publik për të ndikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale, të dielën në Turqi.
Megjithatë, bllokimi i You Tube sipas ekspertit, nuk është zgjidhja e duhur. "Nuk ka asnjë arsye për bllokimin e këtyre faqeve. Mund të bllokohen disa faqe të caktuara apo video të caktuara, kjo do të ishte legjitime në një rast të tillë", thekson eksperti i së drejtës. Në kodin penal turk parashikohet edhe një nen për sekretin shtetëror dhe spiunazhin, thotë Tokuzlu.
"Në rastin e You Tube do të vihet në përdorim neni 330 i kodit penal, kur bëhet fjalë për informacione me interes kombëtar dhe sigurinë ndërkombëtare që duhen mbajtur sekret. Me shkeljen e këtij ligji përmes spiunazhit politik apo ushtarak, autorin e pret burgim i përjetshëm". Në bisedën e regjistruar bëhet fjalë edhe për furnizim me armë të grupeve siriane.
"Po qe se këto regjistrime janë të vërteta, atëherë opinioni publik ka të drejtë të informohet për këtë, sipas Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut. Nëse bisedimet janë një provë për krime lufte, atëherë mund të ndodhë që e gjithë qeveria të dalë para Tribunalit për krime lufte. Pikërisht kjo është një temë shumë delikate", përfundon eksperti i së drejtës.