Endeavour bashkohet me stacionin ndërkombëtar
SHBA, 11 shkurt - Anija kozmike amerikane Endeavour iu bashkëngjit Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Endeavour mbart materialet e duhura për punimet e fundit të ndërtimit që do të bëhet në Stacionin Ndërkombëtar në orbitën e tokës.
Astronautët, me anë të shëtitjes në hapësirë, do të vendosin pjesët e fundit, gjithashtu do të ndihmojnë në mirëmbajtje dhe riparimin e stacionit. Pas vënies së pjesëve të fundit, do të jetë plotësuar 90% e ndërtimit të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar.
Planifikohet që stacioni, ndërtimi i të cilit filloi në vitin 1998 dhe supozohet të ketë kaluar 130 miliardë dollarë shpenzime, të përfundojë në vitin 2011. Projekti i stacionit është punimi që ka zgjatur më shumë, ka kushtuar më shtrenjtë dhe me më shumë vende pjesëmarrëse, plot 15 të tilla.
Stacioni përdoret për të fituar eksperiencë në udhëtimet e gjata në hapësirë, për të parë ndikimet e tyre fiziologjike dhe për eksperimente me qëllim sigurimin e kushteve ideale për këtë. Pas përfundimit të ndërtimit, Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar do të jetë objekti i dytë më i ndritur, pas Hënës që do të duket me sy të lirë natën në qiell.