Elon Musk blen Twitter-in
New York, 26 prill - Kompania e rrjeteve sociale Twitter ka njoftuar se ka pranuar ofertën e sipërmarrësi Elon Musk për t'u blerë për 44 miliardë dollarë.
Twitter tha në një deklaratë se ka hyrë në një marrëveshje përfundimtare për t'u blerë nga një njësi ekonomike në pronësi të plotë të Musk-ut, në të cilën aksionerët e Twitter-it do të marrin 54,20 dollarë për çdo aksion të zakonshëm që zotërojnë.
“Çmimi i blerjes përfaqëson një premium 38 për qind ndaj çmimit të mbylljes së aksioneve të Twitter-it më 1 prill 2022, e cila ishte dita e fundit e tregtimit përpara se zoti Musk të shpaloste rreth 9 për qind të aksioneve të tij në Twitter”, thuhet në deklaratë.
Kështu, Twitter do të bëhet një kompani private pas mbylljes së marrëveshjes.
Sipërmarrësi Elon Musk, themeluesi i prodhuesit të makinave elektrike Tesla dhe kompanisë së eksplorimit të hapësirës SpaceX, njoftoi më 4 prill se bleu aksione prej 9,2 për qind në Twitter, duke u bërë investitori më i madh i platformës së rrjeteve sociale.
Musk ishte duke eksploruar një ofertë për të blerë Twitter-in, pasi dha një ofertë prej 46,5 miliardë dollarësh për marrëveshjen, sipas një dosjeje të letrave me vlerë të publikuar të enjten.
Musk, i cili e përshkruan veten si përkrah të lirisë së shprehjes, ka thënë se dëshiron ta blejë platformën, sepse beson që nuk po e shfrytëzon potencialin që ka për liri të shprehjes.
“Liria e shprehjes është baza e një demokracie funksionale dhe Twitter është shesh digjital ku diskutohen çështje jetike për të ardhmen e njerëzimit”, ka thënë Musk përmes një deklarate.
Ai ka thënë se dëshiron të krijojë mundësi të reja për këtë platformë dhe t’i bëjë algoritmet ashtu që të rrisin besimin.
Musk, i cili është edhe pronar i kompanive Tesla dhe SpaceX, ka thënë në të kaluarën se Twitter duhet të bëhet kompani private në mënyrë që të rritet besimi te përdoruesit.
Aktualisht Elon Musk është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej më shumë se 269 miliardë dollarëve, sipas revistës Forbes.