Dogana lanson aplikacionin për telefonat e mençur
		
Prishtinë, 4 tetor - Dogana e Kosovës ka njoftuar se në vazhdimësinë e saj për parandalimin e kontrabandës, korrupsionit dhe parregullsive tjera, së fundmi ka publikuar aplikacionin për telefona të mençur i cili u mundëson qytetarëve dhe i fton ata të jenë pjesë aktive e parandalimit dhe raportimit të këtyre dukurive negative. 
Pra sipas doganës janë funksionalizuar dy sisteme te reja operative të cilat mund të instalohen në telefonat e mençur. 
Kur shkarkohet aplikacioni qytetarë mund të kenë qasje në dy sisteme:  
1.    Sistemi i parë ju mundëson raportimin e Korrupsionit, Kontrabandës e Parregullsi tjera
Mjafton të shkarkoni aplikacionin e-Dogana dhe natyrisht me një qasje mjaft të lehtë duke klikuar në njërën nga menytë kryesore mund të raportoni Korrupsionin, Kontrabandën e Parregullsi tjera. 
Qytetarëve u është dhënë mundësia që përmes këtij aplikacioni duke përshkruar rastin, vendndodhjen dhe bashkangjitur provat të bëhen pjesë e parandalimit dhe luftimit të dukurive negative të shoqërisë.
2.    Sistemi tjetër mbron qytetarë nga mashtrimet me kilometra gjatë shitjes së veturave 
Po ashtu përmes aplikacionit e-Dogana duke dashur të ju ndihmojmë qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve të ndryshme nga shitës të papërgjegjshëm, u është ofruar mundësia që të bëjnë verifikimin e veturave të zhdoganuara nga data 1 Shtator 2021 e deri më sot. 
Duke shënuar numrin e shasisë së veturës ju merrni informata rreth detajeve të veturës, kilometrave të kaluara dhe statusin e zhdoganimit.  
















