Digjitalizimi, proces i pashmangshëm për bizneset
Prishtinë, 28 shkurt - Digjitalizimi është një praktikë e domosdoshme për rritjen e transparencës dhe efikasitetit të punës në biznese, si dhe zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik të vendit.
Kjo u tha sot gjatë një tryeze të diskutimit mbi digjitalizimin afarist në vend, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Milot Arifi, Drejtor Ekzekutiv i Prosperoware, tha se në Kosovë të gjitha kompanitë me ose pa vetëdije janë duke iu nënshtruar revolucionit digjital, i cili sjellë në vete mundësi të shumëta por edhe sfida të ndryshme.
Sipas tij është shumë e rëndësishme që çdo kompani të e nis këtë proces, duke filluar së pari me promovimin e një kulture në organizatë e cila e përqafon iniciativën, duke shtuar se ka shumë hapësirë për ngritje të vetëdijes mbi proceset digjitale dhe përfitimet nga ato tek bizneset kosovare.
Getoar Mjeku, Këshilltar i Ministres së Ekonomisë, foli për programin 4 vjeçar të qeverisë për ekonominë digjitale në vend, ku tha se qëllimi kryesor i këtij programi është që të financojë komponentët kyç të transformimit digjital.
Mjeku e përmendi mungesën e legjislacionit si një ndër barrierat e mëparshme për zhvillim të këtij sektori, gjersa theksoi se qeveria po fillon implementimin e një projekti për rritjen e konkurrueshmerinë në sektorin e teknologjisë informative.
Sipas tij, qeveria do të ketë prioritet krijimin e një infrastrukture digjitale të mbështetur edhe me legjislacion adekuat, sidomos për tregtinë online.
Agim Bekaj, përfaqësues i kompanisë Microsoft, tha se në vitet e fundit në përgjithësi popullsia e Kosovës penetron në masë të madhe në rrjete sociale, gjë që tregon një trend në rritje, prandaj bizneset kosovare domosdoshmërisht duhet të jenë në hap me trendet moderne dhe të kenë prezencë të shtuar në botën digjitale.
Tutje, Bekaj e konsideroi si shumë të rëndësishëm digjitalizimin e shërbimeve për qytetarë nga qeveria, sepse sipas tij ky do të minimizonte mundësitë për praktika si korrupsioni.
Taulant Stublla nga kompania Cisco, tha se digjitalizimi është një proces i një rëndësie të veçantë, i cili duhet të ekzistojë brenda çdo biznesi, sepse në rastin e kompanive kosovare, ai mes tjerash e mundëson lehtazi edhe ofrimin e shërbimeve jashtë vendit.
Stublla theksoi se digjitalizimi ndikon në lehtësimin e punës në institucione qoftë publike apo private, gjersa qeveria duhet të bëjë më shumë mbi rregullimin e kornizave ligjore të cilat do të e mbështesnin digjitalizimin.