Dalja e iPhone 6 në treg do të vonojë deri në 2015

New York, 15 korrik - Thashethemet se Apple në vjeshtë do të hedhë në treg iPhone 6 janë hedhur poshtë nga analisti i KGI Securities, Ming-Chi Kuo, i cili thotë se ky produkt do të vonohet pasi kanë dalë disa probleme në prodhimin e tij.
Kuo tha se këto probleme që kanë lindur gjatë rrugës së prodhimit të modelit iPhone 6 me ekranin e përfolur prej 5.5 inc dhe 4.7 inc mund ta vonojnë daljen e tij në treg deri në vitin 2015.
Vonesat kanë të bëjnë me problemet që kanë lindur me ndjeshmërinë e prekjes së ekraneve të e reja. Sipas këtij raporti thuhet se Apple ka pasur edhe probleme në gjetjen e baterisë për ekranin me 5.5 inc, e cila do të ishte e fuqishme por edhe e hollë deri në 2mm, pasi modeli i ri i iPhone-it me ekranin më të madh do të jetë i hollë dhe madje do të quhet iPhone Air.
Në rast se Apple vendos ta quajë modelin e ri të iPhone me ekran te madh iPhone Air, atëherë do të përputhej me linjën e pajisjeve që e mbajnë këtë emër, siç janë iPad Air dhe MacBook Air, të cilët gjithashtu njihen për dizajn të hollë dhe ndryshe nga modelet tjera të pajisjeve të ngjashme.
Pritjet tashmë të njohura janë që Apple të lançojë iPhone 6 në dy versione, njërin me ekran prej 4.7 inc dhe tjetrin me ekran prej 5.5 inc.