Dakordohen për ngritjen e sigurisë kibernetike në gjitha institucionet
Prishtinë, 2 maj - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u mbajt takimi i Këshillit Shtetëror për Siguri Kibernetike, lidhur me raportet e tremujorit të parë të këtij vitit, të të gjitha institucioneve të cilat janë të përfshira në përmbushjen e objektiveve të përgjithshme të Strategjisë për Siguri Kibernetike.
Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherit Koordinator Kombëtar për Siguri Kibernetike, Selami Shkodra, fillimisht përshëndeti të pranishmit dhe i vlerësoi për punën e bërë deri më tani.
Ai tha se gjatë periudhës janë mbajtur disa takime të rëndësishme, si jashtë dhe brenda vendit, në prezantime me qëllim të mësimit të përvojave të domosdoshme me avancimin e teknologjisë.
Zëvendësministri Shkodra, theksoi se për kundër përpjekjeve maksimale për ngritjen e sigurisë kibernetike, me këtë hov të teknologjisë, mund të konstatohet se njohuritë mbi kërcënimet e sulmeve kibernetike dhe sigurinë kibernetike në përgjithësi u mungojnë edhe një pjesë të madhe e qytetarëve, si dhe zyrtarëve të institucione publike.
Të gjithë anëtarët e këshillit u dakorduan se është e domosdoshme për të ngritur sigurinë në gjitha institucionet publike, me qëllim të vlerësimit të rëndësisë që ka siguria kibernetike, duke hartuar plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.
Nga zëvendësministri Shkodra u kërkua që për çdo sfidë në implementim të aktiviteteve të planit të veprimit, të njoftohet Këshilli Shtetëror për Siguri Kibernetike, i cili si i tillë mund të mbajë edhe takime të tjera konform nevojave që kanë institucionet e Republikës së Kosovës.