Beqaj kërkon prezencë më të madhe të Microsoftit në Kosovë
Prishtinë, 20 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur në takim drejtorin e Microsoftit, George Randelov me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit me këtë korporatë amerikane që zhvillon një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve që lidhen me informatikën.
Me këtë rast, ministri Beqaj ka informuar Randelov me kornizën institucionale dhe ligjore që ofron vendi, ndërsa ka kërkuar listimin e Republikës së Kosovës në listën e shteteve të Microsoftit.
Gjithashtu, në takim është shtruar nevoja e hapjes së zyrës distributive të Microsoftit në Prishtinë dhe Qendrës inovative si dhe bashkëpunimi në fushën e edukimit në shkollat fillore dhe të mesme.
Nga ana e tij, drejtori i Microsoftit George Randelov premtoi që do të analizojnë me kujdes të gjitha kërkesat dhe shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit.