22 Mars 2023

Belgjika ndalon përdorimin e TikTok-ut në pajisjet qeveritare

Bruksel, 10 mars - Qeveria e Belgjikës ka ndaluar platformën kineze të mediave sociale TikTok në kompjuterët dhe pajisjet celulare të përdorura nga zyrtarët qeveritarë.

Vendimi i qeverisë u bë i ditur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zëvendëskryeministri Georges Gilkinet në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter tha se vendimi për ndalimin u mor në nivel federal.

  “Ne morëm një vendim të arsyeshëm dhe të nevojshëm dhe se ai tani do të jetë vetëm në Facebook dhe Twitter”, tha ai.

Theksohet se përveç qeverisë federale, qeveria flamane gjithashtu do të vendosë një ndalim për TikTok-un për punonjësit publikë. Të njëjtin vendim pritet të marrë së shpejti edhe qeveria valone, transmeton Anadolu.

Qendra belge e sigurisë kibernetike paralajmëroi se TikTok-u mbledh sasi të konsiderueshme të dhënash nga përdoruesit. Ndonjëherë përdoruesit nuk janë në dijeni të tyre dhe kjo paraqet rrezik për sa i përket shkeljes së privatësisë.

Paralajmërimi i qendrës thoshte se TikTok-u mund të manipulojë rrjedhën dhe përmbajtjen e informacionit përmes algoritmeve dhe se ligjet kineze e detyrojnë TikTok-un të bashkëpunojë me inteligjencën kineze.

Disa vende perëndimore, veçanërisht SHBA-ja dhe institucionet e Bashkimit Evropian (BE) vendosën të ndalojnë përdorimin e TikTok-ut në pajisjet e përdorura nga punonjësit zyrtarë për punë në javët e fundit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)