BE kërkon nga Google të mbrojë të dhënat personale të përdoruesve
Bruksel, 17 tetor - Agjencitë për mbrojtjen e të dhënave private në Evropë kanë arritur në përfundimin, se politikat e firmës Google për ruajtjen e të dhënave private, nuk përputhen me ligjet evropiane.
Firma Google e kundërshtoi menjëherë këtë vlerësim. Në muajin mars firma Google miratoi një politikë të re, për të mbledhur informacione rreth përdoruesve në të gjitha shërbimet që ajo ofron.
Sipas saj, synimi është që përdoruesve tu dërgohen reklama specifike, në bazë të interesave të tyre. Veç programit Google për kërkime në internet, kjo firmë mbledh të dhëna edhe nga përdorimi i programit You Tube, nga rrjeti social GooglePlus, si dhe nga telefonat Android.
Agjencitë evropiane për mbrojtjen e të dhënave private thonë se firma Google nuk i njofton përdoruesit për informacionet që mbledh rreth tyre dhe përdoruesit kanë shfaqur shqetësim për këtë.
Sipas zyrtarëve evropianë firma Google duhet ti ndryshojë praktikat e saj brenda tre ose katër muajsh, që çështja të mos i kalohet gjykatës. Firma Google thotë se ajo është e angazhuar për mbrojtjen e të dhënave private të përdoruesve dhe beson se praktikat e saj janë në përputhje me ligjet evropiane.