BE bie në konflikt me Apple-in
Bruksel, 2 tetor - Google-i ka pasur rastin të njihet me mbrojtësit e konkurrencës në Bruksel. Tani po bëhet gati edhe Komisarja e BE-së për Drejtësinë Viviane Reding që t\'i tregojë një sipërmarrjeje amerikane se si luhet sipas rregullave evropiane.
Megjithëse ajo mund ta bëjë këtë vetëm në mënyrë të tërthortë: Reding u ka bërë thirrje shteteve anëtare që të veprojnë kundër prodhuesit amerikan të kompjuterave Apple (sepse ky krijon iluzion te blerësi në lidhje me të drejtat e garancisë).
\"Apple Care\" - kjo tingëllon mirë, tingëllon sikur: Apple-i kujdeset. Kush blen një iPhone, iPad apo Mac, atij koncerni amerikan i komjuterave i ofron një \"plan mbrojtjeje\" për produktet.
Me këtë, garancia e prodhuesit Apple zgjatet nga një vit në dy ose në tri vite. Natyrisht, një përkujdesje e tillë ka çmimin e vet (sidoqoftë, në rastin e një Mac Book-u 249 euro).
Komisioni Evropian ka edhe diçka për të kritikuar: \"Duket se Apple-i nuk u jep konsumatorëve informacione të qarta, të vërteta dhe të plota mbi garancinë që u takon atyre sipas të drejtës së BE-së.\"
Akuza ndaj Apple-it: Sipërmarrja lë pa thënë që e drejta e BE-së kërkon sidoqoftë një garanci dyvleçare për produktet e reja. Kjo është thjesht keq, thotë Klaus-Heiner Lehne, kryetari i Komisionit Juridik në Parlamentin Evropian: \"Të paktën kjo nuk bën të qartë që çdo klient gëzon automatikisht prej së drejtës ekzistuese një garanci për dy vjet.\"
Mirëpo, gjigantit të kompjuterave i duhet shtuar si plus që garancia Apple Care shkon përtej garancisë normale dhe vlen për shembull për të gjitha mangësitë (pra, jo vetëm për ato që ekzistonin në momentin e blerjes).
Por, thotë Klaus-Heiner Lehne, në praktikën ligjore ky dallim është minimal: \"Për këtë arsye unë vazhdoj të kem qëndrimin: Nuk ka rëndësi nëse Apple-i mund të ketë të drejtë në pikëpamje të normave juridike, sjell keqkuptime. Prandaj Apple-i duhet ta bëjë të qartë këtë.\"
Bashkë me deputetë të tjerë të BE-së Lehne i ka shkruar një letër proteste Komisares për Drejtësinë Viviane Reding. Edhe njëmbëdhjetë shoqata të mbrojtjes së konsumatorëve kanë dorëzuar ankesë në Bruksel kundër politikës së informimit të Apple-it.
Dhe Reding-u ka reaguar: Nga ana e saj ajo u ka shkruar letër ministrave të shteteve të BE-së, përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorëve. Për përmbajtjen zëdhënësja e saj thotë: \"Pra ne presim që shtetet anëtare të veprojnë kundër Apple-it mbi bazën e ligjeve të tyre kombëtare.\"
Komisarja nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt, pasi në çështje të mbrojtjes së konsumatorëve Brukseli vetëm mund të ankohet që shtetet anëtare nuk respektojnë ligjet evropiane. Ekziston edhe direktiva për praktika biznesi të pandershme.
\"Sipas të cilës shtetet anëtare duhet të konstatojnë nëse një tregtues krijon disi iluzion te konsumatori.\" (thotë zëdhënësja Andreeva).
Në Itali sipërmarrja është dënuar ndërkohë për shkak të \"Apple Care\"-it me një gjobë 900.000 euro. Apple-i ka reaguar ndërkohë dhe në faqen e vet të internetit për shitjet ka shtuar një link në lidhje me rregullat evropiane. Mirëpo, për Komisionin Evropian informacionet e dhëna atje nuk mjaftojnë ende.