BB e mbështet Kosovën për zgjerimin e internetit në zonat rurale
Prishtinë, 23 qershor - Banka Botërore (BB) po i ndihmon Kosovës që ta përmirësojë shtrirjen ekzistuese të internetit të saj me broadband nëpër zonat rurale, duke ofruar mbështetje analitike për atë se si të hartohet një program kombëtar për ti trajtuar zbrazëtirat në rrjet dhe si të organizohet më së miri ndarja efektive e infrastrukturës në të gjithë sektorët e telekomunikimit dhe energjisë.
Zhvillimi i broadband-it është i pabarabartë në Kosovë, me boshllëqe të mëdha midis rajoneve rurale dhe urbane. Në të njëjtën kohë, madje edhe komunat rurale përballen me një rritje të vazhdueshme të popullatës, çfarë çon në shtimin e kërkesës për teknologjitë e broadband-it, informimit dhe komunikimit (TIK).
Në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Banka Botërore po e organizon një punëtori dyditore, që quhet Zhvillimi i Broadband-it në Zonat Rurale për Zhvillim Përfshirës dhe të Gjelbër, për ti prezantuar rezultatet e dy aktiviteteve të asistencës teknike të financuara përmes granteve që synojnë ta zgjerojnë lidhjen nëpërmjet broadband-it në komunat rurale dhe ta përshpejtojnë zhvillimin e vendit dhe një zhvillim të gjelbër.
Në këtë seminar janë thirrur qeveria, rregullatorët e telekomunikacionit dhe të energjisë, ofruesit e shërbimeve të internetit, shërbimet publike dhe donatorët ndërkombëtarë për të diskutuar për (i) gjendjen e lidhjes përmes broadband-it në zonat rurale, fytet e ngushta për investim në infrastrukturën e broadband-it dhe rolin e sektorit publik në promovimin e investimeve për ta zgjeruar qasjen në broadband; dhe (ii) Atllasin e Infrastrukturës së Broadband-it, planet për ndarje të infrastrukturës së Republikës së Kosovës nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut Sh.a. (KOSTT-it) dhe dobitë e zhvillimit të infrastrukturës së broadband-it në zonat rurale.
Blerand Stavileci, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, theksoi se \"Ministria dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë shumë të kënaqur me progresin që është arritur në kuadër të bashkëpunimit me Bankën Botërore për TIK-të. Përmes asistencës teknike që na është dhënë, ne kemi fituar njohuri të reja të përgjithshme dhe praktike për hapat që qeveria e jonë duhet ti marrë për të shtuar shtrirjen e shërbimeve të telekomunikacionit dhe për ta përmirësuar ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës, duke krijuar kështu faktorë të shumtë të jashtëm pozitivë, siç është krijimi indirekt i vendeve të punës dhe mbrojtja e mjedisit. Presim me padurim që ta thellojmë këtë angazhim për të qenë në gjendje që të veprojmë sipas rekomandimeve që janë dhënë në mënyrë sistematike dhe strategjike\".
Teknologjitë moderne mund të jenë mjete të fuqishme për ti adresuar sfidat kryesore të papunësisë dhe pasivitetit ekonomik në Kosovë, të cilat janë të theksuara sidomos kur kemi të bëjmë me të rinjtë dhe gratë që kanë njohuri për teknologjinë, por që, shumë shpesh, janë të kufizuar sa i përket lëvizshmërisë së tyre për shkak të përgjegjësisë familjare për tu kujdesur për fëmijët apo të moshuarit tha Jan-Peter Olters, Menaxher i Bankës Botërore në Kosovë. \"Prandaj, shtrirja e internetit në zonat rurale të Kosovës, do tu sjellë dobi të prekshme familjeve, bizneseve dhe qeverisë, sepse interneti i lidh njerëzit me informatat dhe me vendet e punës dhe krijon mundësi ekonomike të reja.
Banka Botërore i mbështet planet e Qeverisë së Kosovës për ta filluar zhvillimin e broadband-it në zonat rurale përfshirë përmes mekanizmave për ndarje të infrastrukturës - si pjesë e programit të saj të punës për TIK-të, i cili menaxhohet nga Praktika Globale për Transport dhe TIK. Ky program i punës ka filluar në qershor të vitit 2014, falë një granti nga Shërbimi Këshillëdhënës për Infrastrukturë Publiko-Private [angl. Public-Private Infrastructure Advisory Facility - PPIAF), i cili i ofron mbështetje Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ndërmarrjes Publike KOSTT Sh.a.
Ndarja e infrastrukturës ua mundëson shteteve që ti përdorin pasuritë infrastrukturore të tyre në mënyrë më efikase, duke i ulur investimet në infrastrukturë (punët civile) që nevojiten për ti zgjeruar rrjetet e broadband-it dhe ofron burime të reja të të ardhurave për shërbimet komunale\", tha François Bergere, Menaxher i Programit PPIAF. \"Për këto arsye, PPIAF ka pasur kënaqësinë që të mbështeste këtë aktivitet dhe shpreson se kjo punë do të ndihmojë në lehtësimin e investimeve private në rrjetin e broadband-it në Kosovë.
Trusti Korean i Mirëbesimit për Zhvillim të Gjelbër, i cili menaxhohet nga Banka Botërore, ka nxitur investime shtesë për zhvillimin e një programi për broadband në zonat rurale me të cilin synohet që të identifikohen dhe përgatiten një varg studimesh të fizibilitetit për ti plotësuar zbrazëtirat e infrastrukturës midis zonave urbane dhe rurale.
\"Shtrirja e broadband-it kudo është parakusht që vërtetë mund ta nxisë zhvillimin e gjelbër në Kosovë, duke i përdorur teknologjitë e informimit dhe komunikimit për ta shtuar shpejt cilësinë e jetesës tha Eun Joo Allison Yi, Koordinator i Trustit Korean të Mirëbesimit për Zhvillim të Gjelbër. \"Ne shpresojmë se kjo ndihmë teknike do ti ofrojë qeverisë të dhëna analitike solide për ta zgjeruar shtrirjen e rrjetit të broadband-it dhe për të përfituar nga ai. Pastaj, veprimi i Kosovës për ta realizuar zhvillimin e gjelbër do të shërbejë si model për zgjerimin e lidhjes me broadband dhe për nisjen e shërbimeve të broadband-it në vende të tjera që përballen me sfida të ngjashme\".
Me dy aktivitete të asistencës teknike të financuara nga trusti i mirëbesimit në zhvillim e sipër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kërkuar shtimin e angazhimit në TIK. Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore i kanë filluar diskutimet për një projekt të mundshëm, i cili do të përqendrohej në pilot projekte për zgjerimin e rrjetit të internet me broadband në zonat e përzgjedhura rurale të vendit.