22 Dhjetor 2024

Auditori kërkon përmirësime në sigurinë e informacionit të sistemeve statistikore

Prishtinë, 23 qershor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar Raportin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës”.

Auditimi është kryer në këtë Agjenci që është bartëse, shpërndarëse dhe koordinatore e statistikave zyrtare të Kosovës.

Ky auditim përfshin periudhën 2019-2020 dhe kishte për qëllim të vlerësojë organizimin dhe qeverisjen e teknologjisë së informacionit, lidhur me kontrollet e sigurisë së të dhënave, kontrollet e aplikacioneve si dhe ruajtjen e integritetit të të dhënave.

Rezultatet e auditimit tregojnë se Agjencia përmes sistemeve të teknologjisë së informacionit në përgjithësi ka arritur të realizojë dhe të publikojë projektet statistikore të parapara me planin e publikimeve.

Megjithatë, nuk kishte vendosur mekanizmat e nevojshëm për kontrollet e përgjithshme të teknologjisë së informacionit, që përfshijnë mjedisin në të cilin aktivitetet janë zhvilluar, operuar, menaxhuar dhe mirëmbajtur.

Ka mungesë të vlerësimit adekuat të nevojave në fushën e teknologjisë së informacionit, ndarje joadekuate të detyrave dhe përgjegjësive të stafit si dhe ka staf të pamjaftueshëm të teknologjisë së informacionit.

Po ashtu, menaxhimi i aktiviteteve të teknologjisë së informacionit nuk është mjaftueshëm i bazuar në politika, procedura dhe procese të operimit.

Agjencia nuk kishte marrë hapat e mjaftueshëm për t’u siguruar që informacioni i përpunuar nuk ekspozohet ndaj palëve të paautorizuara.

politikat që trajtojnë çështjet e sigurisë së informacionit si dhe ndërgjegjësimi mbi kërkesat e përgjithshme të sigurisë së informacionit nga personeli i Agjencisë ka rezultuar i mangët.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë se çështjet lidhur me sigurinë e informacionit rreth sistemeve statistikore kanë nevojë të përmirësohen.

Në veçanti, sistemet e teknologjisë së informacionit duhet të forcohen para fillimit të proceseve të rëndësishme të parapara për vitin 2021 siç janë realizimi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë statistikat në nivel shtetëror, Osmani tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që posaçërisht të adresojë çështjet rreth sigurisë së informacionit dhe kapaciteteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ndërsa, me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve rreth menaxhimit dhe qeverisjes së teknologjisë së informacionit brenda Agjencisë, ka dhënë 13 rekomandime për Agjencinë e Statistikave të Kosovës.
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)