Apple nuk i zhgënjeu adhuruesit e saj
New York, 11 shtator - Që nga prezantimi i dy telefonave të rinj, tek një sistem i ri për të paguar, deri tek ora e dorës i-watch, kompania Apple nuk i zhgënjeu adhuruesit e saj që prisnin me padurim konferencën e djeshme.
Disa thonë se iPhone-ët e rinj, më të shpejtë dhe me ekran më të madh, do ta bëjnë kompaninë më konkurruese me telefonët e tjerë inteligjentë me përmasa të ngjashme që gjenden në treg.
Ndërsa disa vëzhgues të tjerë të elektronikës thonë se ora Apple, produkti i parë i ri, i krijuar nën drejtimin e drejtorit ekzekutiv Tim Cook, mund të sinjalizojë një kapitull të ri në historinë e kompanisë.
Ekosistemi elektronik i Apple-it u zgjerua me prezantimin zyrtar të dy telefonave të rinj - iPhone 6 me ekran 4,7 polsh dhe iPhone 6 plus me 5,5. Gjithashtu, me procesorë më të shpejtë dhe bateri më të fuqishme, blogeri i teknologjisë Dan Ackerman thotë se telefonat e fundit mund të ndryshojnë rrjedhën e eksodit të konsumatorëve që janë larguar nga Apple.
\"Mendoj se ka shumë njerëz që patën zilinë e ekranit të madh dhe braktisën Apple duke marrë telefona Android me ekrane 5\", të cilët janë me të vërtetë të mrekullueshëm për të lexuar libra, për të kërkuar në kalendar apo për të lexuar faqet e internetit. Nëse Apple futet në atë kategori, mendoj se ka shumë njerëz që presin të rikthehen tek produktet e saj.\"
Në këtë dyqan Apple në Nju Jork, nuk mungojnë konsumatorët që janë të gatshëm të presin në rradhë për orë të tëra për të blerë produktet e fundit të kompanisë, kryesisht iPhone 6.
Por ndoshta jo të gjithë do të jenë gati të përdorin sistemin e ri Apple për pagesat me celular. Me sistemin NFC të iPhone 6, ose çipi Near Field Communication, përdoruesit e iPhone-it do të jetë në gjendje të bëjnë pagesa të sigurta në qindra dyqane, thjesht me një lpvizje të telefonit të tyre.
Por anketat e fundit tregojnë se shumica e amerikanëve janë ende skeptikë ndaj përdorimit të telefonave celularë për të kryer blerje. Ne folëm me analistin e CreditCards.com Matt Schultz, përmes Skype-it.
\"Do të ketë shqetësime për sigurinë dhe mendoj se njerëzit do të jenë pak dyshues për të përdorur këtë sistem të pagesave me celular, sepse me çdo gjë të re njerëzit priren të jenë të kujdesshëm.\"
Por disa thonë se nëse ka ndonjë kompani që mund ti kthejë telefonat celularë në portofolë, Apple me bazën e saj të madhe të përdoruesve është më e përshtatshmja për ta bërë këtë.
Specialisti i mirënjohur i marketingut global Erich Joachimsthaler thotë se për Apple, përfitimet janë të mëdha.
\"Së pari, është natyrisht komoditet nga perspektiva e konsumatorit, por më e rëndësishmja është se ndryshohet modeli i përfitimit të të ardhurave për Apple. Apple ka tani një shans të fitojë para për çdo pagesë që kryhet dhe kjo është diçka me një potencial të madh për Apple.\"
Diçka shumë fitimprurëse mund të jetë dhe prezantimi zyrtar i orës Apple, përpjekja e parë e kompanisë për të hyrë në tregun e veshjeve elektronike. Ekspertët e industrisë thonë e ora inteligjente dhe integrimi i saj i përkryer me iPhone-in mund të jenë një pikë kthese për Apple.
Por Matt Schultz thotë se mbetete për tu parë nëse produktet e reja mund ta bëjnë Tim Cook trashëgimtarin legjitim të themeluesit të Apple, Steve Jobs.
\"Performanca e tij nuk ka shumë rëndësi. Ajo që do të ketë rëndësi vërtet është se sa të suksesshme do të jenë këto produkte të reja.\"
Me një çmim fillestar prej 349 dollarësh, ora inteligjente Apple Watch del në shitje në fillim të vitit të ardhshëm. Porositë për iPhone 6 fillojnë më 12 shtator, por nuk dihet ende se kur mund të dalë në treg iPhone 6 Plus, me ekranin më të madh.