Apple ndërpret të gjitha shitjet e saj në Rusi
New York, 2 mars - Kompania teknologjike Apple ka ndërprerë shitjen e të gjitha produkteve të saj në Rusi.
Në një deklaratë nga Apple thuhet se "Kompania ka një shqetësim të thellë nga pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës".
Më tej thuhet se kompania mbështet përpjekjet humanitare dhe ka siguruar ndihmë ndaj krizës së refugjatëve dhe se ka bërë çdo gjë që mundet për të mbështetur ekipet e saj në rajon.
"Kompania ka marrë një sërë masash si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Rusisë. Janë ndërprerë shitjet e të gjitha produkteve të Apple-s në Rusi", thuhet në deklaratë.
Po ashtu janë kufizuar edhe Apple Pay dhe shërbimet e tjera, bëhet e ditur në deklaratën ku vihet theksi se aplikacionet "RT News" dhe "Sputnik News" të medias shtetërore të Rusisë nuk do të mund të shkarkohen nga dyqanet e aplikacioneve jashtë Rusisë.