Apple humb gjyqin me Iphone-in kinez
New York, 9 maj - Kompania e njohur teknologjike Apple ka humbur betejën ligjore në Kinë me një kompanie që tregton çanta lëkure dhe mbrojtëse celularësh me mbishkrimin Iphone.
Gjykata e lartë e Pekinit vendosi në favor të kompanisë Xintong Tiandi.
Kjo kompani tregton rregullisht materiale lëkure me mbishkrimin Iphone që nga viti 2010, ndërsa për herë të parë e ka përdorur këtë mbishkrim në 2007.
Apple kishte ngritur padi pranë autoriteteve kineze në vitin 2012, por kur tentativa e parë dështoi atëherë kompania e njohur amerikane formuloi një tjetër padi në gjykatën e ulët të Pekinit, edhe kjo e fundit vendosi kundër Apple-it. Atëherë përfaqësuesit e kësaj korporate teknologjike iu drejtuan Gjykatës së Lartë.
Por edhe kësaj radhe nuk morën fitoren e shpresuar. Gjykatësi vendosi se Apple nuk ishte një kompani e njohur në Kinë përpara se Xingtong Tiandi ta përdorte këtë emër për artikujt e vet në vitin 2007, ndërkohë që Iphone-t e parë filluan të shiten në Kinë në vitin 2009.
Vendimi vjen pasi kompania amerikane bëri të ditur pak kohë më parë se shitjet në Kinë janë reduktuar me 13 %, kryesisht në tregun e pakicës. Tregu kinez ka rezultuar deri më tani një dështim për Apple duke qenë se shteti aziatik mban vendin e dytë në botë për tregtimin e mallit vendas.