28 Dhjetor 2024

Aplikacione mobile që i përmirësojnë shërbimet komunale

Prishtinë, 17 qershor – Për dy ditë e gjysmë në sfidën inovative sociale "Për Prishtinën Digjitale", të mbajtur në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK), janë prezantuar shumë ide inovative që për qëllim kanë ta bëjnë më efikase qeverisjen lokale dhe ti përmirësojnë shërbimet që Komuna e Prishtinës u ofron qytetarëve.

Pas një fundjave pune dhe planifikimi gjatë kësaj gare tradicionale, nga juria profesionale, u përzgjodhen fituesit “On Focus” (Lavdim Xhelili, Ideal Cakolli dhe Alban Purova) në kategorinë "Transparenca në Punësim", vendi i dytë në këtë kategori i takoi ekipit “Backbone” (Rrahim Trepça, Edmond Mustafa, Rinor Vitaku dhe Ramadan Kurti).

Kurse fitues në kategorinë "Transparenca në Shpenzime të Komunës" u zgjodh ekipi “Mikrobiz” (Naim Berisha, Kastriot Rama, Albulena Mushica, Skender Mehmeti dhe Arianit Islami), vendi i dytë në këtë kategori i takoi ekipit “Cloud” (Fitim Ahmeti dhe Atdhe Muhaxhiri).  

Ekipet fituese të dy vendeve të para, në dy kategori, të garës inovative “Për Prishtinën Digjitale” u shpërblyen secila me çmime financiare në vlerë prej 4,000 euro, inkubim në ICK dhe me vauçer për ndjekjen e trajnimit për programim në iOS.

Kurse dy vendet e dyta u shpërblyen me mbështetje dhe ekspertizë për zhvillimin e aplikacioneve, mundësi inkubimi në Innovation Centre Kosovo, rrjetizim me donatorë dhe partnerë të mundshëm. Në këtë garë kanë marrë pjesë 15 ekipe me 56 anëtarë.

Uranik Begu Drejtor Ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo theksoi se gara inovative “Për Prishtinën Digjitale ka për synim që qytetarin ta sjellë më afër qeverisjes lokale përmes krijimit të aplikacioneve të ndryshme mobile që ndërlidhen me shërbime komunale.

“Nga natyra e aplikacioneve të prezantuara dhe të atyre që janë zgjedhur në mesin e dy më të mirave mund të kuptohet se nuk munguan idetë inovative që ofrojnë zgjidhje për qeverisjen komunale të Prishtinë”, tha Begu duke shtuar se tashmë gara inovative “Për Prishtinën Digjitale” do të jetë një nga aktivitetet e shumta tradicionale të Innovation Centre Kosovo.

Begu poashtu theksoi se “ishte kënaqësi që të jemi pjesë e këtij organizimi, dhe se e çmojmë kontributin që Komuna e Prishtinës po u jep të rinjve në promovim të ideve të tyre duke përmirësuar njëkohësisht edhe mirëqënien e qytetarit”.

 Kurse Shpend Ahmeti Kryetar i Komunës së Prishtinës tha se “garuesit prezantuan idetë e tyre për përmirësimin e transparencës në buxhet dhe punësim përmes web aplikacioneve. Idetë ishin të mrekullueshme dhe gjatë javëve në vijim me fituesit do të përgatisim aplikacione që do të përmirësojnë edhe më shumë transparencën në komunën tonë.”.

Qëllimi i nismës “Për Prishtinën Digjitale” është që qytetari të jetë pjesë aktive e zhvillimeve në qytetin ku jeton. “Për Prishtinën Digjitale” është një sfidë inovative sociale për të nxitur propozime për aplikacione për ueb apo telefona mobilë, të cilët do të kontribuojnë në qeverisje më të mirë dhe rritje të transparencës në Komunën e Prishtinës.

"Për Prishtinën Digjitale" është pjesë e nismës rajonale — http://openideas.me/prishtina/
"Për Prishtinën Digjitale" është një nismë e përbashkët e Komunës së Prishtinës, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Innovation Centre Kosovo (ICK) për të angazhuar qytetarët e Kosovës në përmirësimin e qeverisjes në qytetin e Prishtinës përmes teknologjisë.

Athene Prosjektledelse, nga Norvegjia dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), janë themeluesit e ICK-së, kurse Crimson Capital është partner kryesor bashkëpunues. ICK-ja financohet nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)