25 Dhjetor 2024

Amerikanët i marrin lajmet gjithnjë e më shumë nga interneti

New York, 19 prill - Një studim i ri tregon se problemet buxhetore që kanë detyruar mjetet e informimit kudo në Shtetet e Bashkuara të pushojnë nga puna gazetarë, kanë bërë që njerëzit t\'u drejtohen formave të tjera për të marrë lajmet.

Këto janë rezultatet e Qendrës së Studimeve Pew, e cila publikoi sot raportin vjetor mbi industrinë amerikane të lajmeve.

Studimi i ri tregon se problemet buxhetore po i detyrojnë mediat amerikane të shpenzojnë më pak për mbulimin e ngjarjeve, duke bërë që shikuesit dhe lexuesit t\'i marrin lajmet e ditës nga interneti, sidomos përmes rrjeteve sociale.

Në raportin vjetor të Qendrës së Studimeve Pew mbi industrinë amerikane të lajmeve, thuhet se afro një e treta e njerëzve të anketuar nuk ndjekin më televizionin apo gazetën që ndiqnin më parë, sepse ato nuk ofrojnë më informacionin që ofronin.
 
Raporti përmend efektet e drejtpëdrejta që ka patur shkurtimi i gazetarëve, duke thënë se tani gazetarët i hyjnë më pak në thellësi analizës së ngjarjeve, ndërsa televizionet i kanë rralluar lajmet e shkurtra.

Në studim thuhet se rrjetet televizive kabllore si CNN, transmetojnë tani më shumë intervista dhe më pak lajme drejtpërdrejt, që dikur luanin rol shumë më të madh në programet e tyre.

Në nivel lokal, të rinjtë amerikanë po i braktisin emisionet e lajmeve televizive. Shikueshmëria mes të rinjve nën moshën 30 vjeç ka rënë nga 42 për qind në vitin 2006 në 28 për qind vitin e kaluar.
 
Në të njëjtën kohë, të dhënat e Revistës Amerikane të Gazetarisë tregojnë se mediumet e ndryshme po shkurtojnë numrin e gazetarëve që mbulojnë institucionet kryesore qeveritare si Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes, si dhe po mbyllin zyrat që mbajnë pranë këtyre agjencive qeveritare.

Studimi Pew thotë se një pjesa më e madhe e amerikanëve nuk janë të vetëdijshëm për arsyet e shkurtimeve. Sondazhi i kësaj qendre tregon se 60 për qind e njerëzve kanë dëgjuar shumë pak ose aspak në lidhje me trysnitë financiare me të cilat po përballen kompanitë mediatike.

Ndërkohë që amerikanët lexojnë më pak gazeta dhe shikojnë më pak lajme në televizion, ka pasur një rritje në konsumin e lajmeve në internet. Studimi thotë se numri i njerëzve që i marrin lajmet nga burime në internet u rrit deri në 7 për qind vitin e kaluar.

Lajmi i mirë për mediume të tilla që prej dekadash mbizotëronin tregun e informimit, si   NBC, CBS, New York Times dhe Washington Post, është se faqet e tyre  të internetit zenë vendet e para në trafikun e lajmeve online.

Por lajmi i keq është se ato nuk kanë nxjerrë shumë të ardhura nga reklamat dixhitale. Prandaj, gjithnjë e më shumë gazetat po përpiqen të detyrojnë konsumatorët të paguajnë për të hyrë në faqet e tyre.

Sipas raportit, 450 nga 1,380 gazetat e përditshme në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar plane ose kanë filluar të vendosin tarifa për lexuesit që duan t\'i marrin lajmet nga portalet e tyre.
 
Të tilla janë gazetat New York Times dhe Wall Street Journal.  New York Times filloi ta zbatojë këtë sistem në vitin 2011 dhe tani thotë se fiton më shumë nga abonimet me internet se sa nga reklamat.
 
Një prirje e re është mënyra se si njerëzit e dëgjojnë lajmin për herë të parë. Sipas studimit, 15 përqind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara mësojnë për një ngjarje nga një rrjet social ndërsa për të rinjtë kjo shifër është afërsisht 25 përqind.
 
Përsa i përket mbulimit të fushatave elektorale nga mediat, studimi thotë se edhe kur gazetarët mbulojnë një ngjarje, roli i tyre si filtër i informacionit është zvogëluar.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, vetëm një e katërta e deklaratave rreth karakterit ose të kaluarës së dy kandidatëve, Barak Obama dhe Mitt Romney, erdhi nga gazetarët.

Pjesa më e madhe erdhi nga vetë kandidatët ose nga fushtatat e tyre. Pra ishte një situatë e ndryshme nga viti 2000, kur 50 përqind e deklarimeve të tilla erdhi nga gazetarët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)