Amazon do të blejë kompaninë mediatike MGM për 8,45 miliardë dollarë
New York, 26 maj - Amazon njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje përfundimtare të bashkimit për të blerë kompaninë mediatike amerikane Metro-Goldwyn-Mayer (MGM) për 8,45 miliardë dollarë.
Firma amerikane e tregtisë elektronike dëshiron të përfitojë nga ekspertiza dhe katalogu i filmave të MGM-së me 4.000 filma dhe 17.000 shfaqje televizive, përfshirë James Bond-in, Fargo dhe Vikings, për të mbështetur sektorin e saj të filmit dhe televizionit, tha kompania në një deklaratë.
Ndërsa biznesi i transmetimit të videove është bërë më konkurrues gjatë pandemisë së koronavirusit për shkak të karantinave, Amazon po përpiqet të sfidojë Netflix-in dhe të konkurrojë me Disney-n, gjersa synon të fitojë më shumë abonentë përmes bibliotekave më të pasura dhe përmbajtjes së re.
"Vlera e vërtetë financiare pas kësaj marrëveshje është thesari i pronës intelektuale në katalogun e thellë që ne planifikojmë ta rimagjinojmë dhe ta zhvillojmë së bashku me ekipin e talentuar të MGM-së", tha në deklaratë Zëvendëspresidenti i Lartë i Prime Video dhe Amazon Studios, Mike Hopkins.
Kryetari i MGM-së, Kevin Ulrich tha: "Mundësia për të rreshtuar historinë e grumbulluar të MGM-së me Amazon-in është një kombinim frymëzues".
E themeluar në vitin 1924, MGM është një nga studiot më të vjetra të filmit në Hollywood, kryesisht e përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e filmave artistikë dhe programeve televizive.
Marrëveshja shënon blerjen e dytë më të madhe të Amazon-it në historinë e kompanisë pas blerjes së saj prej 13,7 miliardë dollarësh të zinxhirit të supermarketeve amerikane Whole Foods në vitin 2017.