04 Maj 2024

Zyrtarët serbë po e tensionojnë veriun duke hyrë ilegalisht

Mitrovicë, 24 shtator - Në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim u vlerësua se hyrjet ilegale të zyrtarëve serbë në veri të Kosovës po ndikojnë në tensionimin e situatës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala,  tha se në përgjithësi gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur ndonjë incident serioz që do të ndikonte në situatën e përgjithshme.

Si problem që ndikon në tensionim e gjendjes përmendi hyrjet ilegale të zyrtarëve serbë në veri.

Në këtë kontekst, ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që të marrin masa dhe të mos lejojnë këto hyrje ilegale.

“Rrugët ilegale në veri duhet të mbyllen meqë janë shndërruar në rrugë prej nga importohet krim në Kosovë”.

Ai kërkoi që të merren masa dhe të nxirren para drejtësisë edhe autorët që janë duke shantazhuar dhe sulmuar punëtorët serbë të Zyrës Administrative në Veri.

“Strukturat paralele janë të frikësuara për shkak se përditë e më tepër qytetarët serbë po bëhen pjesë e jetës institucionale në Kosovë”.

Ndërsa si tregues pozitiv sa i përket situatës së sigurisë, ai potencoi zvogëlimin e përkrahjes së popullatës serbe në veri për grupet ekstremiste dhe strukturat paralele serbe.

Ai tha se qytetarët serbë janë lodhur nga këto grupe që vazhdimisht duan të shfrytëzojnë popullatën për qëllimet e tyre kriminale dhe politike.

Drejtori Bala, vlerësoi pozitivisht edhe ecurinë e procesit të rindërtimit në veri.

“Prej fillimit të rindërtimit të shtëpive në veri në kuadër të aksionit humanitar “Ndihmo edhe ti” janë rindërtuar 17 shtëpi në lagje të ndryshme dhe nuk ka pasur asnjë incident”.   

Ndërsa për gjendjen në jug të qytetit, ai tha se nuk ka probleme dhe se qytetarët serbë qarkullojnë pa asnjë telashe.

Këtë e konfirmuan edhe zyrtarë policorë të pranishëm në takim, të cilët thanë se nuk ka asnjë incident ndëretnik në jug.

U përmend si shqetësim numri i madh i qenve endacakë si në jug ashtu edhe në veri të qytetit, që janë duke paraqitur  rrezik për sigurinë e qytetarëve.

Zyrtarët komunalë thanë se duhet të gjendet një zgjidhje, pasi që ligji nuk lejon eliminim fizik të tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)