Zjarrfikësit kalojnë nën menaxhim të MBP-së
Mitrovicë, 24 korrik - Shërbimi i Zjarrfikësve në Mitrovicë prej tani do të menaxhohet prej Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave (AME) që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Për këtë u nënshkrua një Memorandum mirëkuptimi nga kryetari i komunës, Avni Kastrati dhe kryeshefi i AME-së, Fadil Kodra.
Sipas memorandumit për transferimin e pjesëtarëve të Shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Komuna dhe AME-ja do të koordinohen për transferimin këtij shërbimi nga niveli komunal në nivelin qendror. Pjesëtarët e këtij shërbimi prej tani janë staf i MPB dhe menaxhohen nga AME-ja.
Në bazë të memorandumit, përveç personelit do të transferohen edhe të gjitha pajisjet dhe mjetet nga Komuna në MBP-AME. Poashtu Komuna do të dorëzoj të gjithë dokumentacionin e shërbimit, të cilat do të pranohen nga një komision i themeluar nga MBP.
Së bashku me personelin dhe pajisjet, për AME-në do të bartet edhe buxheti i planifikuar nga komuna për këtë shërbim.