Zjarrfikësit e Fushë-Kosovës transferohen në AME
Prishtinë, 10 korrik - Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna e Fushë-Kosovës nënshkruan sot memorandum të mirëkuptimit për transferimin e njësisë së Zjarrfikësve nga komuna në Agjencinë për Menaxhim Emergjent të MPB-së.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i komunës, Burim Berisha dhe drejtori për Parandalim në AME, Alush Beqiri.
Qëllim i Memorandumit të Mirëkuptimit është transferimi i pjesëtarëve të Shërbimit të Zjarrfikës dhe Shpëtimit nga Komuna e Fushë Kosovës, në Njësitin profesional të Zjarrfikës dhe Shpëtimit në kuadër të Ministrinë e Punëve të Brendshme, respektivisht në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME) për vazhdimin e funksionimit dhe krijimin e kushteve më të mira për shërbimin e zjarrfikësve në të gjithë territorin e Kosovës.
Komuna e Fushë-Kosovës është e para në transferimin e zyrtarëve nga komuna në nivel qendror. Transferimi është duke u bërë në mbështetje të Ligjit për Zjarrfikje dhe Shpëtim, Nr: 04/L-049 dhe Udhëzimit Administrativ, nr. 21/2012 për transferimin e Shërbimit Zjarrfikës dhe Shpëtimit në Njësitë Profesionale nga Komunat në MPB/AME, si dhe për një bashkëpunim dhe bashkërendim të ndërsjellët.
Në ditët në vijim do të vazhdohet me transferimin e të gjitha njësive të zjarrfikësve nga të gjitha komunat e Kosovës në Agjencinë për Menaxhim Emergjent, me qëllim të funksionimit unik të zjarrfikësve.