Zhvarrosen mbetjet mortore të pesë individëve në Gjakovë
Prishtinë, 22 qershor - Ekspertë të EULEX-it për mjekësi ligjore në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML) kanë zhvarrosur nga një vend i pashënuar në varrezat e Gjakovës mbetjet mortore të pesë personave. Individët e zhvarrosur dyshohet të kenë qenë viktima të luftës në Kosovë.
Pas informacionit të marrë nga publiku, që thoshte se në varrezat e Gjakovës janë gjetur mbetjet mortore të një individi, një ekip i ekspertëve të mjekësisë ligjore nga EULEX-i u vendos atje për të kryer zhvarrosjen e mbetjeve mortore dhe për të kryer një vlerësim më të gjerë.
Sipas Alan Robinson, bashkëkryesues në DML, ky është një shembull i mirë i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në kërkimin e të pagjeturve.
Ata po hapnin një varr kur i gjeten këto mbetje mortore, dhe në bazë të informacionit që ata na dhanë ne ishim në gjendje ta kryejmë këtë operacion i cili rezultoi me zhvarrosjen e pesë individëve, tha Robinson duke theksuar rëndësinë që ka informacioni i besueshëm për gjetjen e pagjeturve.
Mbetjet mortore janë dërguar në DML në Prishtinë në mënyrë që të fillohet procesi i identifikimit i cili do të kryhet nga ekspertë të EULEX-it për Mjekësi Ligjore duke kombinuar analizat e ADN-së dhe ato antropologjike.
Zhvarrosja në fjalë ishte edhe një rast i mirë për të vazhduar mentorimin e ekipit të sapokrijuar për kryerjen e zhvarrimeve. Pjesëtaret e ekipit vendor të DML nga Ministria e Drejtësisë morën pjesës në mënyrë aktive në këtë operacion, nën mbikëqyrjen e arkeologëve të EULEX-it për mjekësi ligjore.
Komisioni për persona të pagjetur në kuadër të Qeverisë së Kosovës është informuar gjatë gjithë procesit, dhe si gjithmonë, zhvarrosja është kryer në prani të përfaqësuesve nga ky komision.
Në javët në vijim ekspertët e EULEX-it për mjekësi ligjore nga DML-ja mes tjerash, planifikojnë të kryejnë operacione në terren në territorin e Gjakovës, Mitrovicës dhe Vushtrrisë.
Që nga dhjetori i vitit 2008 kur ekspertët e EULEX-it i janë bashkangjitur DML-së, ky departament ka kryer me shumë së 290 operacione në terren. Janë gjetur më shumë 150 persona të pagjetur.