"Zharku planifikonte vrasjen e zyrtarëve të EULEX-it"

Prishtinë, 14 gusht - Një ish-polic ka implikuar ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharku, në përgatitjen e vrasjes së dy prokurorëve dhe një gjyqtari të EULEX-it.
Ky dëshmitar, i cili me dëshmitë e tij ka arritur ta kthejë përmbys rastin e shpërthimit në lokalin Sekiraça nuk e ka shfajësuar as veten nga përgjegjësia në organizimin e shpërthimit që kishte ndodhur në shtator të vitit 2007, i cili pati shkaktuar vrasjen e dy personave dhe plagosjen e 11 të tjerëve.
Ai ka thënë se Zharku ka paguar një person 20 mijë euro për ti vënë bombën në veturën e prokurores Maria Bamieh.
Dëshmitari ka deklaruar se Zharku kishte planifikuar edhe vrasjen e prokurorit Maorizio Salustro, si dhe të kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.
Si rezultat i hetimeve dhe aktakuzës së ngritur nga prokurorja angleze Maria Bamieh, Zharku është dënuar me 3 vjet e gjysmë për veprën penale të detyrimit.