Zëvendësministri Ibishi në vizitë zyrtare në Kroaci dhe Slloveni
Prishtinë, 6 tetor - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhim Emergjent, Fadil Kodra, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Dubrovnik të Kroacisë, ku po marrin pjesë në punëtorinë rajonale të organizuar nga Komisioni Evropian me temën Bashkëpunimi për mbrojtjen civile për vendet kandidate si dhe vendet kandidate potenciale.
Kjo punëtori është në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA), nga i cili program do të përfitojnë tetë shtete nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia.
Me këtë rast, do të debatohet çështja se kur dhe si mund të aktivizohet Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i BE-së, çka mund dhe çka nuk mund të pritet si përgjigje e ndihmës ndaj fatkeqësisë nga ky Mekanizëm, si dhe çka është e nevojshme për të punuar me Qendrën e Informacionit dhe Monitorimit të Komisionit Evropian gjatë emergjencave.
Gjithashtu, zëvendësministri Ismet Ibishi ka marrë pjesë edhe konferencën rajonale me temën, Ditët e sigurisë dhe shpëtimit, të organizuar në Kopër të Sllovenisë.
Gjatë qëndrimit në Slloveni, zëvendësministri Ibishi ka vizituar Qendrën Nacionale Operative të Policisë së Lubjanës, Qendrën Shkollore të Policisë, Muzeun e Policisë si dhe Aeroportin e Bërnikut, ku është njoftuar me punën e forcave fluturuese të policisë së këtij vendi.