Zëvendësministri i Mbrojtjes së Maqedonisë vizitoi MFSK-ën
Prishtinë, 28 maj - Zëvendësministri i Mbrojtjes të Republikë së Maqedonisë(RM), Emil Dimitrev, zëvendësshefi i Shtabit të Ushtrisë, gjeneral major Naser Hajdini, Dekani i Akademisë Mbrojtjes, kolonel Rose Smileski dhe atasheu ushtarak i RM, kolonel Donco Kuzmanov qëndruan sot, për vizitë zyrtare në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Delegacionin e lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë së RM i priti ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Agim Çeku si edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Zëvendësministrat e FSK-së, Bejtush Gashi dhe Sllavisha Filipoviqi, gjeneral major Rrahman Rama, komandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, si edhe gjeneral brigade Imri Ilazi, drejtor i Departamenti për Operacione dhe Trajnime, zhvilluan një takim të përbashkët me delegacionin nga RM, në të cilin u shkëmbyen përvojat dhe praktikat në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Në takime u vlerësua lartë bashkëpunimi ndërmjet të dyja ministrive dhe u dhanë zotime pë bashkëpunim të ngushtë në fushat me interes të përbashkët edhe në të ardhmen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që kanë Ministria për FSK-në dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë.
Pastaj delegacioni i RM i kryesuar nga zëvendësministri Dimitrev, vizitoi Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, ku u njohën nga afër me punën dhe aktivitetet e Qendrës, si edhe Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.